E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga Pjetërnikaj te anëtarët e Këshillit, kërkesat për përjashtim në KLP vijojnë njëra pas tjetrës

Procesi për përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm po shoqërohet me kërkesa të njëpasnjëshme për përjashtimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

KLP është mbledhur sërish për të shqyrtuar këto kërkesa, të cilat kanë nisur me kandidatin Ylli Pjetërnikaj, që kërkoi përjashtimin e anëtarit të KLP-së, Vatë Staka.

Më pas, kërkesat vijuan njëra pas tjetrës. Staka kërkoi përjashtimin e Zeqir Hodës, Hoda kërkoi përjashtimin e Sokol Stojanit, ndërsa Stojani kërkoi përjashtimin e kryetares së KLP-së, Mirela Bogdani.

Në kërkesën e tij, Stojani ngre pretendime mbi paanshmërinë e kryetares dhe kërkon që Bogdani të mos marrë pjesë në drejtimin, shqyrtimin, diskutimin dhe votimin e kërkesave për përjashtim.

E gjithë kjo situatë po zhvillohet në një moment kur KLP ndodhet në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Në garë janë pesë kandidatë: Adnan Xholi, Arta Marku, Fatjona Memçaj, Rovena Zoto dhe Ylli Pjetërnikaj.

Pas përfundimit të vlerësimit, KLP do të përzgjedhë tre kandidatë, emrat e të cilëve do t’i dërgohen Kuvendit, që do të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›