Vrasja e 65-vjeçarit në Mirditë, drejtori i Policisë Lezhë zbulon detaje nga ngjarja: Ka një të shoqëruar

Drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muça, ka dhënë detaje lidhur me ekzekutimin e 65-vjeçarit në Mirditë. Në një prononcim për mediat, Muça tha se policia është njoftuar rreth orës 08:55 për ngjarjen e rëndë në Ndërfushas, ku një person është gjetur i vrarë brenda automjetit të tij.
“Një shtetas është vrarë në automjetin e tij. Është shtetasi Viktor Marku, i datëlindjes 1961. Po kryhen të gjitha veprimet hetimore”, deklaroi Muça.
Sipas tij, rreth 20 minuta pas ngjarjes, pranë Rubikut, është gjetur dhe automjeti i djegur që dyshohet se kanë përdorur autorët. Për këtë rast është ngritur një grup i dytë hetimor, i cili po punon për zbardhjen e rrethanave.
Policia po sekuestron dhe fikson provat në vendngjarje, ndërsa po merren në pyetje dëshmitarët që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Drejtori i Policisë së Lezhës konfirmoi gjithashtu se një person është shoqëruar në komisariat, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur autorët dhe motivin e ekzekutimit.
“Po bëhen të gjitha veprimet hetimore. Rreth 20 minuta pas ngjarjes, në fshatin Rrëshen, që është afër Rubikut, është djegur një automjet, ku është ngritur grupi i dytë hetimor dhe po sqaron rrethanat e rastit. Po fiksohen të gjitha provat, po pyeten dëshmitarët. Kemi 1 të shoqëruar“, sqaroi ai.
/rtsh.al/