Nga Revolucioni Paqësor tek Bashkimi i Gjermanisë
Ekspozita
Në 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlini që përkon me datën 9 nëntor, pikërihst dje, në orën 18.00, është hapir në sallën e madhe të Ambasadës Gjermane një ekspozitë me postera.
Ajo prezanton fakte dhe prapaskena të ndodhive nga vera e vitit 1989 deri në ribashkimin e Gjermanisë më 3 tetor 1990. Fotot dhe tekstet hedhin një vështrim prapa në momente prekëse të historisë gjermane.
Ekspozita u përpunua nga fondacioni për Zbardhjen e Historisë të Diktaturës së SED-it (Unionit Socialist Gjerman) së bashku me fondacionin jofitimprurës Hertie.
Ajo sjell në kujtesë protestat kundër manipulimit të zgjedhjeve vendore të majit në RDGJ, arratisjet e verës dhe protestat masive në vjeshtë 1989. Posterat informojnë mbi demokratizimin e RDGJ-së, solidaritetin gjermano-gjerman dhe hedhjen e shinave të politikës së jashtme deri në arritjen e bashkimit të Gjermanisë.
Pavarësisht se kanë ngjallur interes aktivitetet e Tetorit gjerman i cili përfshin edhe ato që janë programuar për jubileun e njëzetë të rënies së Murit, ekspozita e posterave nuk mund të ndiqet nga njerëzit. Arsyeja është e thjeshtë: në ambasadë nuk hyn kushdo.
******************************
Takimi i Lubjanës, nënshkruhet për trashëgiminë
Dy ditët e fundit, më 6 dhe 7 nëntor u mbajt në Lubjanë konferenca "Rehabilitimi i Trashëgimisë sonë të Përbashkët" organizuar nga Ministria e Kulturës së Sllovenisë dhe Ministria e Jashtme Sllovene, nën kujdesin e Këshillit të Evropës. Në këtë konferencë, si përfaqësuese e MTKRS mori pjesë z/v Ministrja Suzana Turku.
Ministrat dhe zv/ministrat e pranishëm paraqitën projekte të procesit të Lubjanës, të konsoliduar tashmë në Evropën Juglindore. Ky proces ka filluar që në vitin 2003 me synim hartimin dhe zbatimin e projekteve të rehabilitimit të qendrave historike të Evropës Juglindore.
Në fjalën e saj, Zv.ministrja Suzana Turku, theksoi se bashkëpunimi i frytshëm me Këshillin e Evropës si dhe me Delegacionin Evropian, ka bërë të mundur realizimin e dy projekteve të konsoliduara në Shqipëri si: projekt-menaxhimi i Pazarit të Korçës dhe i Muzeut të Apolonisë.
Gjithashtu Turku nënvizoi rolin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila me anë të kërkimit të vazhdueshëm për financime shtesë, nga Qeveria shqiptare, ka arritur rezultate me investime në fushën e trashëgimisë, drejt vendeve me rëndësi për turizmin kulturor, të tilla si kështjellat, fortifikime, site arkeologjike etj.
Në këtë konferencë, më shumë se 170 pjesëmarrës miratuan "Deklaratën e përbashkët të Lubjanës për trashëgiminë kulturore: Nga bashkëveprimi drejt një zhvillimi socio-ekonomik të qëndrueshëm".
Në këtë takim rëndësi të veçantë për shtetin shqiptar kishte miratimi i deklaratës ministrore për rehabilitimin e trashëgimisë kulturore të përfituesve të Evropës Juglindore dhe për zbatimin e fazës tjetër të procesit të Lubjanës.
Duke miratuar deklaratën, përfaqësuesit e shtetit në nivel ministrash dhe zv/ministrash, konfirmuan përgjegjësinë e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore evropiane.
Partnerët miratuan vazhdimin e procesit të Lubjanës, si dhe konfirmuan gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar, dhe për të marrë vendime që do të mundësojnë më tej ecurinë e procesit deri në vitin 2011.
Konferenca e Lubjanës kujtoi se me rezultatet e arritura deri më sot, bashkëpunimi me Këshillin e Evropës si dhe me Delegacionin Evropian, në kuadër të procesit të Lubjanës, trashëgimia e përbashkët Evropiane ka shanse më të mëdha për të tërhequr vëmendjen e duhur për mbrojtjen dhe njohjen e saj.
Kanuni i Lekës italisht në librari
Në fillim të nëntëqindës një françeskan, At Shtjefën Gjeçovi, pas një pune të gjatë në terren ulet të shkruajë një sërë rregullash, të përcjella deri më atëherë gojarisht, për gjithë fushat e jetës në krahinat malore të Shqipërisë së Veriut. Kjo përmbledhje është quajtur Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Ky sistem i kodifikimit të rregullave të jetës për një pjesë të territorit të Shqipërisë, është botuar së fundi në gjuhën italiane "Il Kanun di Lek Dugagjini" nën kujdesin e Donato Martucci. Është botim i shtëpisë botuese "Bessa".
*************************************
Protagonistë të huajt për "Salome"
Teatri i Operës prezantoi dje premierësn e radhës, operën "Salome", me libret të Oscar Ëilde dhe muzikë të Richard Strauss-it. Gazetarëve ju bë e ditur se roli i mbretit Herod i është caktuar tenorit që vjen nga Amerika Roy Stevens.
Përkrah tij, Herodia, interpreton sopranoja Edit Mihali, kurse Salome është sopranoja shqiptare Sonila Baboçi dhe ajo italiania Nausicaa Policichio.
Gjon Pagëzori interpretohet nga tenori gjerman Thomas Gazheli. Regjisore është Patrizia Panton, skenograf është Platon Bardhi. Kostumet janë të Teatrit të Operës së Romës. Koreograf është Denis Skuro.