E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi në prokurori, mohon goditjen ndaj gazetarit

TIRANË- Presidenti i kompanisë "Taçi Oil" i etiketuar ndryshe edhe si "biznesmeni i familjes së kryeministrit", shtetasi Rezart Taçi, tashmë i izoluar në dhomat e paraburgimit "Mine Peza" (302), mohon akuzat e goditjes së gazetarit Mero Baze. Këtë fakt ai e ka pohuar edhe pse prokuroria ka siguruar katër dëshmitarë që provojnë të kundërtën e pretendimeve të tij.


Kjo është bërë e ditur nga burime zyrtare pranë organit të akuzës në kryeqytet, që konfirmojnë se para hetuesve dhe prokurorit të çështjes, Taçi ka mohuar rrahjen e gazetarit Baze mbrëmjen e 2 nëntorit në një lokal në zonën e ish-bllokut.


Të njëjtat burime, thanë se biznesmeni i izoluar në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg" ka pranuar se Shefi i Departamentit të Shitjeve pranë kompanisë së tij, "Taçi Oil", Irgen Selfo, e ka qëlluar gazetarin Baze, por se ai vetë jo. "Më datë 2 nëntor, në mbrëmje kam qenë në pishinën e mbyllur tek ambientet e Shkollës Private "Nobel" që është në pronësinë time.


Nga ora 22:00 bashkë me shefin e departamentit të shitjeve të kompanisë, Irgen Selfon dhe shoferin Bledar Lilo, kam shkuar tek lokal "Kapriço", ku jam takuar me tre miqtë e mi. Jam ulur me ta në një tavolinë tjetër , jo me dy "shoqëruesit" e mi.


Nga ora 23:00 një nga kolegët më ka thënë që "shiko se po zihet ai djali që erdhi me ty". Jam kthyer pasi isha me shpinë nga ata dhe pashë që po zihej me gazetarin Mero Baze. I jam afruar menjëherë duke i ndarë pasi po përlesheshin fizikisht.


Në momentin që arrita t'i ndaj bashkë me gazetarin tjetër Andi Bushati, u nisa të dal jashtë. Aty më është shkëputur nga duart Irgen Selfo, pasi gazetari Baze e shau dhe ofendoi rëndë me fjalor të pistë. Aty Selfo më ka dalë nga kontrolli, duke qëlluar gazetarin Baze.


Ai u rrëzua në tokë dhe më pas kam kapur me forcë Selfon dhe e kam nxjerrë jashtë duke u larguar",- mësohet të ketë thënë Taci para prokurorit të çështjes. Në këtë mënyrë Taçi, ka mohuar në mënyrë kategorike se e ka qëlluar ai gazetarin Baze.


Për kundër këtij pretendimi, burime të prokurorisë thonë se ka qenë biznesmeni Taçi i cili ka nisur të gjithë sherrin duke shkëmbyer fjalë fyese dhe sharje mes tij dhe gazetarit Baze, që dy shoqëruesit nuk kanë duruar ofendimin e "shefit" të tyre nga gazetari, që më pas i janë sulur duke e qëlluar.


Përveç dy "shoqëruesve" të tij, që sipas prokurorisë janë punonjës të kompanisë "Taçi Oil", Selfo shef shitjesh dhe Lilo shofer pranë këtij sektori, ka qëlluar ndaj Bazes edhe vetë biznesmeni Rezart Taçi.


Dëshmitë
Kamerierët dhe gazetarët, kundër pretendimeve të Taçit


"Ky fakt provohet nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, dy gazetarët Andi Bushati e Arban Hasani si dhe dy kamerierët e lokalit, të cilët kanë ndërhyrë për t'i ndarë agresorët që po qëllonin gazetarin Mero Baze"-thuhet nga prokuroria.


Gjithashtu, në dosjen e prokurorisë prej dy ditësh është administruar edhe akt-ekspertimi mjeko-ligjor i gazetarit Mero Baze, ku evidentohet fakti se në trupin e tij janë fiksuar goditje me sende të forta, që kanë shkaktuar dëmtime të ndryshme. "Nga këqyrja dhe ekzaminimi mjeko-ligjor i trupit të gazetarit Mero Baze, është provuar se ka shenja të theksuara dhune në pjesën e fytyrës, kokës dhe trupit nga brezi e lart.


Nga këqyrja e këtyre shenjave, është arritur në përfundim se gazetari Baze ka pësuar dëmtime të ndryshme në trup me dashje, që cilësohen ndryshe në aspektin mjekësor si "dëmtime të tjera me dashje"-thuhet në akt-ekspertimin e firmosur nga tre ekspertë të ndryshëm, duke perifrazuar se këto dëmtime kanë nevojë për pushim 9 ditor me raport mjekësor.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›