Nga Shkodra në Vatikan: Si shfrytëzohen për punë të burgosurat e kanunit shqiptar
Gazeta e njohur italiane La Repubblica në një investigim të gjatë të saj, tregon se si shfrytëzohet puna e grave të izoluara në veri të Shqipërisë për shkak të gjakmarrjes. Shkrimi me titull Një muaj punë kushtojnë sa dy pula për gratë e burgosura nga kanuni. Gazetari italian Andrea Milluzzi ka investiguar se si këto gra përgatisin rruzare ose tespihe, që përfundojnë më pas në shitje në Vatikan. Një punë e lodhshme për vetëm 7 cent një rruzare, e cila shitet në Itali për 20 euro. 300 herë më shtrenjtë, shkruan gazeta italiane. Natyrisht që duhet marrë parasysh edhe kostoja e materialeve, por prapë kjo që marrin punonjëset e izoluara është një shumë jashtëzakonisht e vogël.
Gazetari ka vizituar shtëpinë e familjes Papleka në Shkodër. Fillimisht ai përshkruan mizorinë e një kodi të tillë si Kanuni, që ka lënë të izoluar familjen vetëm pse kushëriri i tyre ka bërë një vrasje. Ana, gruaja 35 vjeçare, thotë se tani merret me përgatitjen e tespiheve. Thotë se është një punë e lodhshme. Për çdo të tillë merr vetëm 7 cent. Në fund të muajit ka fituar mjaftueshëm sa për të blerë dy pula. Edhe kur kishte kërkuar që ti rritej pagesa nga 18 lek të vjetra në 20 për rruzare, personi që organizonte këtë biznes i kishte thënë: Lëre kur të duash punën.
Gazetari italian shkruajnë se është një gjë e ulët, e turpshme që të ndodhë një shfrytëzim i tillë për të krijuar objekte të përkushtimit e besimit.