E Diel, 1 Nëntor 2026

BBC: Negociatat e Shqipërisë me BE zgjatën tre herë më shumë se ato të Maqedonisë

Share

BE mendon se po bëhet shumë pak për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Problemi i madh papunësia. Bujqësia, në gjendje të mjeruar. Berisha, një ish- komunist, i akuzuar për autoritarizëm, fitoi dy palë zgjedhje mes akuzave për manipulim votash e procedurash

Rrjeti britanik BBC ka përgatitur një speciale për perspektivën e shtatë vendeve që duan të anëtarësohen në BE. BBC u nxit nga vendimi për të pranuar Kroacinë në BE dhe analizoi vendet që janë në pritje. Në analizë u morën Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia, Bosnja, Islanda dhe Turqia. Me përjashtimin e Islandës, vendet e tjera kanë shumë pak shanse që të anëtarësohen së shpejti. Sa i përket Shqiprisë thuhet se ajo nuk pritet të anëtarësohet më së paku në vitin 2015.

Qeveritë e BE thonë se forcimi i zbatimit të ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit mbeten sfida urgjente për Shqipërinë. BE dhe Shqipëria përfunduan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), që shihet si hapi i parë drejt anëtarësimit, në qershor të vitit 2006. Më pas u deshën tre vite e gjysëm për negociatat- tre herë më shumë sesa u desh në rastin e Maqedonisë dhe Kroacisë.

Kjo për shkak se BE mendonte se Shqipëria po lëvizte shumë ngadalë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. BE gjithashtu ka dyshime në sektorin energjetik shqiptar, që vuan nga furnizimet e paqëndrueshme, shkruan BBC.

Papunësia në Shqipëri mbetet kokëfortësisht shumë e lartë dhe infrastruktura e korrupsioni vijojnë të pengojnë investimet e huaja. Bujqësia, një sektor i rëndësishëm, vuan nga mungesa e financimeve, thuhet në analizën e BBC, që nuk lë pa përmendur edhe ngjarjet e 21 janarit ku u vranë katër protestues.

Sa i përket Berishës, BBC shkruan se një ish- komunist formoi Partinë Demokratike dhe u bë i pari president jo-komunist që pas Luftës së Dytë Botërore. BBC thotë se ai është përballur me akuza për autoritarizëm dhe ka fituar në vitin 2005 e 2009 mes akuzave për manipulim votash e procedurash.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›