Nga Vlora për të bërë Shqipërinë
Edi Rama/ Kryetar i PS-së
-Kam bërë shumë fjalime përpara shumë njerëzve në sheshe të hapura, në pallate sporti, në salla të mbyllura, por asnjëherë si sot bë Vlorë, nuk kam ndjerë emocione të jashtëzakonshme si përpara një provimi. Ju e dini që unë mund ta vendosja emrin tim për të qenë deputet kudo. Ju siguroj se vendimi për të vendosur emrin tim këtu në Vlorë nuk ka qenë për t’ia bërë vetes më të lehtë, por për të marrë përsipër përgjegjësinë e jashtëzakonshme të përfaqësimit të Kryeqytetit të historisë dhe të Pavarësisë së shqiptarëve. Vlora sot është në nevojë për t’i kthyer shkëlqimin e ëndrrave të atyre, që në Vlorë shpallën Pavarësinë e vendit, të atyre që në Vlorë gjetën vendin e duhur për të parafytyruar Shqipërinë Zonjë të Rilindësve dhe për të shkuar përpara me guxim në kushtet kur askush nuk besonte se Shqipëria mund të bëhej. Unë jam këtu në Vlorë për t’ju thënë se Shqipëria mund të bëhet, se Shqipërinë do ta bëjmë. Në këto 20 vjet Vlora ka pasur shumë nevoja. Qysh nga viti 2003 deri në vitin 2013, ky qytet dhe ky qark janë financuar shumë më pak se qytete dhe qarqe të tjerë; dhe vetë qyteti i Vlorës ka marrë më pak fonde se Kamza. Më pas qeveria e Saliut nuk e financoi asnjëherë Vlorën, sepse e sheh si vendin ku nuk do të gjejë kurrë mbështetje dhe ku sa herë që të votohet, aq herë do të ndëshkohet dhe aq herë do të largohet po të jetë për Vlorën. Ne jemi sot këtu për të nisur fushatën për Vlorën. Unë jam këtu për t’ju thënë se pas 23 qershorit do të angazhohem si përfaqësues i juaji për të bërë për Vlorën në 4 vitet e ardhshme sa nuk është bërë në 20 vjet të marra së bashku. Shqipëria është i vetmi vend i Mesdheut që ka det përgjatë gjithë profilit të vet dhe që nuk e shfrytëzon detin e vet. Është i vetmi vend i Mesdheut që detin nuk e ka pjesë të ekonominë kombëtare. Është i vetmi vend i Mesdheut që pati fatkeqësinë që për 8 vjet të kishte një kryeministër, i cili i vuri çelësin detit dhe e përdori si govatë për të mësuar not vet. Po të shikoni gjithë rrugëtimin e anijeve dhe sidomos të varkave turistike, ai rrugëtim ndërpritet, pikërisht, në segmentin e bregut shqiptar. Pra, Shqipëria është e izoluar nga deti. Ne do të bëjmë që Shqipëria të bashkohet me Mesdheun dhe e gjithë vija jonë bregdetare të bëhet vijë e kalueshme për të gjitha anijet, anijet tregtare dhe turistike që sjellin aq shumë të ardhura, dhe aq shumë të mira, për vende të tjera të Mesdheut dhe që deri sot s’kanë sjellë asgjë për Shqipërinë. Sepse deri sot Shqipëria nuk e ka hapur detin e saj dhe ka qëndruar e izoluar nga Mesdheu. Ne do të ndërtojmë Korridorin e Kaltër, një rrugë e cila do të lidhë rrugën e bregut, me rrugën që nis qysh lart nga Sllovenia, zbret në Kroaci, kalon në Malin e Zi, dhe do të dalë poshtë deri në jug ku do të bashkohet pastaj me rrugën që shkon në bregun e fqinjit të jugut. Ju po e shikoni se si flama e ndërtimeve pa leje dhe virusi i bathorizimit po përhapet në gjithë bregun e Jonit. Unë ju garantoj se pas 23 qershorit ne nuk do të lejojmë më të vihet një tullë pa leje në Shqipëri dhe nuk do të lejojmë më asnjë lloj cenimi të bregdetit me ndërtime, apo ndërhyrje të pakontrolluara dhe të pamiratuara. Ndërkohë që do bëjmë një punë të posaçme për të restauruar dhe për t’i kthyer në vlera ekonomike të 7 fshatrat e Bregut, duke iu dhënë mundësi që të kalojnë nga epoka e një turizmi primitiv në një epokë tjetër... Ato fshatra janë xhevahire që asnjë vend tjetër nuk do ia falte vetes që t’i linte në derexhenë që i ka lënë Saliu dhe qeveria anti-det e Tiranës. Kam një fjalë për të gjithë ata që këtu në qarkun e Vlorës i thonë vetes të djathtë. E, kanë të drejtë t’i thonë vetes të djathtë edhe pse unë nuk jam shumë dakord me idenë që, meqë gjyshi ka qenë ballist, unë duhet të jem i djathtë, apo meqë ti e ke pasur gjyshin partizan unë duhet të kem inat ty. Megjithatë, unë dua t’u them të djathtëve në Vlorë, që në 23 qershor duhet të votoni si vlonjatë, si vlonjatë të izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë, sepse Saliu e la Vlorën jashtë rrjetit të rrugëve që tha se ndërtoi. Në hartën e porteve Vlora zë një vend strategjik shumë më të rëndësishëm. I gjithë bregu dhe i gjithë qarku i Vlorës kanë një pozicion të rëndësishëm strategjik për të gjithë ekonominë dhe për ekonominë rurale në radhë të parë. Ne do të rindërtojmë Sheshin e Flamurit, do të rindërtojmë bulevardin lidhës me shëtitoren dhe do të ndërtojmë pedonalen e re, nga Skela deri poshtë, ku do të heqim makinat dhe do t’jua kthejmë atë këmbësorëve dhe vizitorëve, duke e bërë një nga hapësirat më të bukura të Mesdheut. Ky është zotimi im! Keni për ta parë që këto zotime nuk janë si premtimet e Saliut, po janë zotime për t’u angazhuar me mish e me shpirt pranë jush, në mbështetjen tuaj, bashkë me ju dhe për t’i dhënë përmes Vlorës dhe Qarkut të Vlorës gjithë Shqipërisë dhe gjithë Europës modelin e një zhvillimi që do të jetë njësoj si dikur me Tiranën, ku askush nuk e besonte që Tirana mund të shpëtonte. Por, Tirana nga një pazar i rrëmujshëm oriental u bë një qytet europian. Edhe më shumë se me Tiranën, sepse nuk do të ketë qeveri që të na pengojë.