Nga dasma në luftë, çifti nga Ukraina martohet nën tingujt e sirenave dhe bombardimeve ruse

Nuk ishte dita e dasmës që kishin parashikuar, por teksa Rusia sulmonte vendin e tyre, një grua ukrainase, Yarina Arieva dhe partneri i saj Sviatoslav Furisin, nxituan të lidhnin kurorën, nën tingujt e sirenave dhe bombardimeve.
“Ishte shumë e frikshme” ka thënë Arieva për CNN. “Është dita më e lumtur e jetës tënde dhe ty të duhet të dëgjosh gjithë këto tinguj lufte”.
Çifti kishte planifikuar të bënin dasmën e tyre më datën 6 maj të këtij viti, në një restorant me pamje nga lumi Dnieper. “Vetëm ne, lumi dhe drita të bukura” ka thënë më tej Arieva.
Por planet ndryshuan kur Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin urdhëroi sulmin ushtarak mbi Ukrainën, dhe një seri predhash goditën qytetin. Sulmi shpejt u përhap në të gjithë vendin, teksa forcat rusë po sulmojnë nga të tre anët, duke rrezikuar jetët e dhjetëra milionë ukrainasve.
“Situata është e vështirë. Ne do të luftojmë për vendin tonë. Mbase edhe mund të vdesim, dhe thjesht donim të ishim bashkë përpara gjithë kësaj” ka thënë më tej Arieva.
Pas ceremonisë së martesës, çifti i ri shkoi në Qendrën Lokale për Mbrojtjen e Territorit për t’iu bashkuar forcave për mbrojtjen e vendit.
“Ne duhet të mbrohemi, duhet të mbrojmë tokën ku jetojmë dhe njerëzit që duam. Unë shpresoj për më të mirën dhe do të bëj ç’të mundem për të mbrojtur vendin tim. Mbase do marrim armët dhe do të ikim për të luftuar. Mbase do të ndihmojmë me diçka tjetër”.
Arieva gjithashtu thotë për bashkëshortin e saj se ai është miku i saj më i mirë, dhe shpresojnë që një ditë, ta bëjnë dasmën e tyre siç do të dëshironin.
“Mbase Rusia do të largohet nga vendi ynë, dhe ne do të festojmë si zakonisht. Thjesht uroj që t’i kthehemi normalitetit sa më shpejt dhe ta kemi vendin tonë të sigurt, të lumtur, pa pushtim rus”
/rtsh.al/