E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga deputet në diplomat karriere, kush ishte Bashkim Zeneli, “Mjeshtri” i diplomacisë dhe politikani model që i hapi rrugë proceseve të demokratizimit të Shqipërisë dhe integrimit euroatlantik

Bashkim Zeneli, i cili u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare ishte një nga figurat e njohura të politikës dhe diplomacisë shqiptare, me një karrierë të gjatë që përfshiu gazetarinë, politikën dhe përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

bashkim zeneli

Diplomati Bashkim Zeneli do të kujtohet si një prej figurave të rëndësishme të jetës publike shqiptare, një politikan modern që kontribuoi në proceset e demokratizimit të Shqipërisë dhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik.

Mendja e tij brilante, pena e mprehtë dhe qasja e tij paqësore do t’i mungojnë gazetarisë, diplomacisë dhe politikës shqiptare.

Zeneli u dallua për angazhimin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën e jashtme.

Karrierën e nisi si përkthyes i gjuhës gjermane dhe më pas punoi si gazetar dhe analist i çështjeve të politikës së jashtme. Përvoja në këto fusha do të shërbente si pikënisje për angazhimin e tij në diplomaci dhe politikë.

Karriera në politike

Me zhvillimet politike të vitit 1991, Bashkim Zeneli u përfshi në Partinë Socialiste, ku mbajti detyrën e sekretarit për marrëdhëniet me jashtë. Ai ishte pjesë e brezit të figurave që kontribuuan në konsolidimin e kësaj force politike pas ndryshimeve të sistemit komunist.

Për dy legjislatura u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa shërbeu edhe si nënkryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme.

Në këtë funksion përfaqësoi vendin në aktivitete të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe OSBE-së.

Roli i tij në diplomacinë shqiptare

Pas angazhimit në politikë, Zeneli vijoi karrierën në shërbimin diplomatik, duke mbajtur poste të rëndësishme në përfaqësimin e Shqipërisë jashtë vendit. Ai shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Gjermani dhe Greqi.

Një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës së tij ishte ajo si ambasador në Gjermani, gjatë luftës së Kosovës. Kontributi i tij në mbështetje të çështjes së Kosovës dhe në promovimin e saj në arenën ndërkombëtare është vlerësuar edhe nga institucionet shqiptare.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›