E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga dhunuese e grave, sot ndan paratë e personave me aftësi të kufizuara

Dodona Kaloshi, e cila u shkarkua nga posti si drejtoreshë e Qendrës për Mbrojtjen e Dhunës ndaj Grave, pas denoncimit të skandalit nga emisioni Fiks Fare, është emëruar drejtoresha e drejtorisë së komisionimit, programimit dhe monitorimit të personave me aftësi të kufizura.

Gjatë investigimit të kryer nga gazetarët e emisionit dhe hetimeve nga një grup specialistësh të institucionit të Avokatit të Popullit, u konstatuan një sërë shkeljesh, kur u kërkua shkarimi i menjëhershëm i drejtoreshës së kësaj qendre.

Gratë, të cilat strehoheshin në këtë qendër , binin nga shiu në breshër. Ato largoheshin nga dhuna familjare dhe përfundonin në dhunë institucionale, të ushtruar nga Kaloshi , e cila urdhëronte dënimin e grave deri në heqjen e ushqimit. Disa prej grave u prononcuan se nuk kishin patur kurrë seanca me psikolog, edhe pse gjendja e tyre emocionale ka qenë e rënduar. Tri gra të dhunuara, së bashku me fëmijët, u larguan nga e vetmja qendër Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës dhe iu drejtuan emisionit investigativ, ku u përcollën edhe fakte rrënqethëse, teksa njëra prej viktimave ish larguar e vetme nga qendra dhe ishte dhunuar barbarisht nga bashkëshorti , duke humbur kështu edhe njërin sy.

Por, ky skandal ku Dodona Kaloshi ushtronte dhunë psikologjike, sipas gazetës Shqip, jo vetëm nuk është dënuar, por ka lëshuar rrënjë akoma më të thella. Dodona Kaloshi  largohet nga Qendra e Rehabilitimit të Grave të Dhunuara, për t’u bërë drejtoresha e drejtorisë së komisionimit, programimit dhe monitorimit të personave me aftësi të kufizura, në institucionin e Shërbimit Social Shtetëror.

Kështu që, denoncimi i  skandalit jo vetëm që nuk ka sjellë ndëshkim , por përkundrazi, Dodona Kaloshi është ngritur në detyrë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›