Nga e para

Parlamenti do të rinisë punën ditën e hënë, ndërsa prioritetet e fillimsesionit do të jenë miratimi i Kodit Zgjedhor dhe ligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, i njohur ndryshe si “Ligji i spiunëve”. Ky do të jetë sesioni i fundit i këtij parlamenti, pasi shtatorin e ardhshëm përbërja e tij do të ndryshojë bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009. Pikërisht përfaqësuesit aktualë të shqiptarëve në Kuvend do të vendosin edhe rregullat e lojës lidhur me këtë proces zgjedhor, bazuar në atë çka është sanksionuar tashmë në Kushtetutë lidhur me sistemin zgjedhor. Pra, që në fillim të këtij sesioni do të rinisë puna e komisionit të posaçëm parlamentar për Kodin Zgjedhor. Konferenca e kryetarëve e mbledhur dje, vendosi që komisionet parlamentare të nisin punën më 1 shtator, ndërsa seanca e parë plenare të zhvillohet më 8 shtator. Pikërisht hartimi dhe miratimi i kodit zgjedhor ka qenë pika kryesore e të dyja partive të mëdha. “Kjo është një punë në proces, e cila nuk ka ndalur edhe gjatë muajit gusht, por ai që do ta thotë fjalën e tij do të jetë Komisioni i Posaçëm, i cili do të nisë menjëherë axhendën e tij me miratimin e ligjit të ri zgjedhor”, - deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD-së, pak pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. Por vetë demokratët e cilësojnë si një çështje parësore për këtë fillimsesioni edhe hartimin dhe miratimin e ligjit të spiunëve. “Për hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit” dhe Kodi i ri Zgjedhor janë dy prioritetet e punës së Kuvendit me fillimin e sesionit kuvendor më 1 shtator. Shpresojmë që të paktën në dy javët e para të muajit shtator të kalojmë bashkërisht me opozitën ligjin e ashtuquajtur të “dosjeve”, - tha numri një i PD-së në Kuvend. Ai sqaroi se për këtë çështje nuk ka pasur negociata të fshehta me përfaqësues të PS-së. Ndërkaq, në emër të PD-së, ai kërkoi bashkëpunimin me opozitën për “Ligjin e prokurorisë”, që kërkon jo më pak se 84 vota, ndërsa ai i pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë mund të kalojë edhe vetëm me votat e mazhorancës. Por, gjithsesi, edhe për këtë ligj mazhoranca kërkon bashkëpunim me opozitën. Diskutimet për ligjin e spiunëve u ndalën në fund të sesionit të kaluar. Partia më e madhe e opozitës, PS-ja, kërkoi hapjen e të gjitha dosjeve dhe jo vetëm lustrimin, sikundër kërkonte të bënte PD-ja. Këta të fundit u shprehën të vendosur për të kaluar ligjin përpara fillimit të pushimeve të verës, edhe vetëm me votat e mazhorancës së djathtë. Por pas ndërhyrjes edhe të OSBE-së, që fliste për nxitim dhe po ashtu kërkonte konsensus të gjerë për miratimin e këtij ligji, debati pozitë-opozitë u shua. Të dyja palët janë shprehur të gatshme parimisht për të kaluar këtë ligj, por mbetet vetëm të përcaktohen detajet, për të cilat duhet gjetur gjuha e përbashkët. Megjithatë, të dy partitë kryesore mbeten të hapura për të bashkëpunuar lidhur me kodin zgjedhor dhe reformat e rëndësishme. Ky bashkëpunim është forcuar edhe në sesionin e kaluar nga socialistët, që në krahun tjetër nuk kanë dhënë konsensusin për ligje që i kanë cilësuar si jokushtetues.