E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga festa e beqarisë, detajet e dasmës së Klajda Gjoshës

TIRANE-Ditën e dasmës e ka ndarë që vjet, pasi mësoi në fillim datën e zgjedhjeve… Ndoshta ngaqë zemra i thoshte se zgjedhjet e 2013-ës do të ishin një surprizë e madhe për të (u zgjodh deputete), siç në fakt do të jetë edhe dita e dasmës. Një surprizë e madhe, e organizuar në ditët e fundit, mes punëve të shumta e dëshirës për ta bërë të paharrueshme këtë natë.

Klajda Gjosha, ministrja e re e Integrimit, do të lidhë sot në darkë kurorë me Ardianin, djalin që e njohu kur ishte vetëm 15 vjeçe, për të mos u ndarë më kurrë prej tij… As atëherë kur iu desh të largohej drejt Londrës për të ndjekur studimet universitare, sepse dashuria që kishin për njëri-tjetrin i mposhti të gjitha pengesat.
Ceremonitë
Është treguar e zgjuar në zgjedhjen që ka bërë, duke ia besuar organizimin e dasmës “Geraldina Sposa”-s, tek e cila ka marrë edhe fustanet e nusërisë (tri të tilla). Mbrëmja e sotme është menduar të organizohet në Pezë, në një fushë të blertë, ku do të mblidhen bashkë miqtë dhe të afërmit e nuses e dhëndrit, sepse kjo nuk është ceremonia e parë për ta. Atë zyrtaren, ku kanë qenë prezentë emra të njohur të jetës politike në vend, çifti e kaloi me sukses të enjten që lamë pas, në Hotel Rogner.

Ndërkaq, për festën e sotme është menduar edhe një mini spektakël, duke qenë se vëllai i dhëndrit është kompozitori Dorian Gjoni. Kështu, orkestra e “Top Channel” bashkë me disa prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare, si Aurela Gaçe, Aleksandër Gjoka etj., do të jenë aty për të argëtuar të pranishmit me disa prej këngëve të tyre më të suksesshme. Një zgjedhje tipike amerikane, e cila na sjell ndërmend filma të Hollivudit, ku në dasma nuk është i ftuar vetëm një këngëtar, e ku lëndinat e gjelbëruara kthehen në ambientin mikpritës. Veçse për dallim nga filmat hollivudianë, çifti nuk do të ketë mundësi të shijojë muaj mjalti, duke qenë se Klajdës i duhet të fillojë punën me qeverinë e re më 9 shtator.

Një festë beqarie
për t’u mbajtur mend
Festa e beqarisë ka qenë gjithashtu surprizë për ministren Gjosha, pasi organizimi është bërë i gjithi nga motra e saj... Festa është mbajtur në një prej lokaleve më me emër në kryeqytet, ku vajzat e fisit bashkë me miket e ngushta të Klajdës kanë festuar bashkë me të ditën e fundit si beqare. Për të gjitha të pranishmet ka pasur bluza në ngjyrë çiklamin dhe aksesorë festivë, ndërsa për Klajdën, një T-shirt i veçantë mbi të cilin shkruhej: Po martohem. E meqë Klajda tashmë është gati, ne i urojmë jetë të gjatë e të lumtur krah njeriut të saj të zemrës, Ardianit... Edhe me një bebe!

(Bluetooth/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: Detajet e dasmës së Klaudia Gjoshës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›