Nga gjimnazi në shkollë profesionale, dy nxënësit që ndryshuan drejtim për të marrë një zanat

Migena dhe Nikola në nisje të këtij viti shkollor u regjistruan në gjimnaz, mirëpo pas dy muajsh arritën të kuptojnë se kishin gabuar në zgjedhjet e tyre. Për këtë ata zgjodhën shkollën e mesme profesionale “Ndre Mjeda” në Bushat të Shkodrës.
Migena është regjistruar në degën teknologji ushqimore të cilën tregon se e kishte ëndërruar me kohë.
“Një nga faktorët kryesorë që më ka shtyrë të vijë këtu është punësimi sa më herët. Mendoj që me këtë degë të shkoj më lart”, tha Migena.
Ndërsa për 16-vjecarin Nikola Kolaj që studion në degën veterinari thotë se e ka parë si zgjidhje për një mundësi më të madhe punësimi, transferimin nga gjimnazi në shkollën profesionale.
“Shkolla na ka ofruar mundësi që të pasurohemi me njohuri edhe në paraqitje në biznese”, tha Nikola.
Për shkak të nevojës që ka tregu i punës për profesionist Ministria e Arsimit në nisje të këtij vitit shkollor ka iniciuar fushatën “Zgjidh Zanatin“ që synon rritjen dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e arsimit profesional.
Transferimi nga gjimnazi në arsimin profesional u ka ofruar nxënësve që kanë prirje dhe talente të veçanta, të ndjekin një rrugë më të përshtatshme për zhvillimin e tyre profesional dhe personal, në përgjigje të nevojave të tregut të punës.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/