Sipërfaqja e kullotave në Dropull- 50 blegtorë do të aplikojnë për 14 mijë hektarë

Në mbledhjen e tij të fundit , të datës 30 janar 2024, këshilli i Bashkisë Dropull, miratoi sipërfaqet e kullotave dimërore dhe verore, të cilat do t’ u jepen në përdorim blegtorëve gjatë vitit 2024.
Në tre njësitë administrative, blegtorët vendas, por edhe të ardhur nga bashkitë fqinje, do të nënshkruajnë kontrata me Drejtorinë e Administrimit të Ujërave, Pyjeve dhe Kullotave të Bashkisë së Dropullit, në bazë të ligjeve në fuqi.
Specialisti i Pyjeve dhe Kullotave ,pranë kësaj njësie vendore, zoti Lefter Nasto, sqaron për Televizionin Publik procedurën që do të ndiqet për të nënshkruar kontratat me blegtorët, afatet kohore, çmimin për kokë, por edhe kriteret që duhet të plotësojnë blegtorët, në mënyrë që të përfitojnë nga shfrytëzimi i rreth 14 mijë hektarëve me kullota.
“Bashkia jonë disponon me shumë 14 mijë hektarë kullota nga të cilat ne kontraktojmë më shumë se 6 mijë hektarë kullota verore, me një kapacitet 13 mijë krerë bagëtish. Pranojmë kërkesa deri më 10 mars për kullotat verore dhe sipas procedurës kalojnë në komision. Tarifat janë të përcaktuara sipas Këshillit të Ministrave dhe ne e kemi 100 lekë për kokë për bagëtinë e imët dhe 800 lekë për lopët” shpjegon Nasto.
Megjithatë, specialistët vlerësojnë se gjatë vitit 2024 numri i blegtorëve që do të aplikojnë për të kontraktuar pranë Bashkisë Dropull, në lidhje me shfrytëzimin e kullotave dimërore dhe verore, do të jetë pothuajse i njëjtë, me atë të vitit 2023.
RTSH