E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nga hapësirat publike te shërbimi spitalor, Rama njofton reforma të reja ligjore: Për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndërmarrjen e disa reformash ligjore, për të adresuar një sërë problematikash në vend, duke nisur nga hapësirat publike e deri te shërbimi spitalor. Në një postim në X, Rama shkruan se nuk do të ketë më zaptim të hapësirave publike në shkelje të ligjit, teksa thekson se po punohet për një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit.

Po ashtu, kryeministri shton se po punohet paralelisht edhe me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pijshëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor. Këto reforma, Rama i konsideron si “piketa” në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

“Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkudhëtarë të jetës urbane, ndërkohë që inspektoratet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pijshëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, shkruan Rama.

Ndërkohë, në vend ka nisur edhe një aksion për lirimin e hapësirave publike, teksa kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje bizneseve që t’i lirojnë vetë, ose do të përballen deri me ndjekje penale. Në Vlorë, Durrës dhe Fier, pakënaqësitë e Ramës në mënyrën e drejtimit të këtyre Bashkive çuan në dorëheqjen e të gjithë drejtorëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›