“Nga internimi në Hollywood”, Aldo Shllaku rrëfen rrugëtimin drejt suksesit në SHBA

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në Podkastin “FLASIM” – Episodi 15, Sezoni 6, kishte të ftuar kompozitorin shqiptar në Hollywood, Aldo Shllaku, duke sjellë një histori domethënëse suksesi në kuadër të reflektimeve për Samitin e IV të Diasporës.
I lindur në Elbasan, si pasojë e internimit të familjes së tij nga regjimi komunist, Shllaku rrëfeu një fëmijëri të vështirë, të shënjuar nga persekutimi.
“Origjinën e kam nga Shkodra, por jam lindur dhe rritur në Elbasan për shkak të internimit të familjes. Pas shkollës së mesme ika jashtë vendit”, tregoi ai.
Pas përfundimit të shkollës së muzikës “Onufri” në Elbasan dhe rënies së regjimit komunist, ai emigroi fillimisht në Greqi e më pas në Kanada, ku nisi studimet për kompozicion në Montreal.
“Në Kanada u mora me kompozicion. Mbarova studimet në Montreal dhe më pas shkova për studime pasuniversitare në Los Angeles”, theksoi ai.
Në University of Southern California, një nga institucionet më prestigjioze për muzikën e filmit, Shllaku hodhi hapat vendimtarë të karrierës së tij.
“Ndejtja atje dhe puna me profesorin që merrej me muzikë filmash ishte shkolla e vërtetë. E ndihmoja për temat, orkestrën, isha asistent i tij”, u shpreh Shllaku.
Kjo eksperiencë i hapi rrugën bashkëpunimit me kompozitorin e njohur Christopher Young, duke kontribuar në projekte të mëdha si “Spider-Man 2” dhe “Spider-Man 3”.
Pas pesë vitesh si asistent, ai vendosi të ndërtonte rrugën e tij të pavarur:
“Punova 5 vjet dhe më pas vendosa të vazhdoj vetë. Projekti i parë ishte një serial filmash animacion dhe më pas erdhën projekte të tjera”, tregoi ai.
Me një karrierë rreth dydekadëshe në industrinë globale të filmit, Shllaku tregoi se një nga momentet më sfiduese ishte periudha e pandemisë. “Momenti më i vështirë ka qenë COVID-i. U mbyll çdo gjë dhe ishte një situatë shumë konfuze”, tha Shllaku.
Aktualisht, ai po punon në disa projekte njëkohësisht, duke theksuar intensitetin e angazhimit të tij profesional.
“Ky është viti më i angazhuar që kam pasur, kam rreth 6 projekte në të njëjtën kohë dhe punoj me asistentë ndërkombëtarë”, tha ai.
Duke folur për zhvillimet teknologjike, kompozitori u shpreh skeptik ndaj përdorimit të inteligjencës artificiale në muzikë. “Ende nuk e pranoj inteligjencën artificiale në këtë fushë. Ka ligje që, kur përdoret AI, nuk mund ta quash më pronësi intelektuale muzikën që prodhon”, u shpreh Shllaku.
Shllaku ndau detaje nga bashkëpunimet e tij me disa prej emrave më të mëdhenj të industrisë së filmit botëror, përfshirë Robert De Niro, Morgan Freeman dhe Tommy Lee Jones. Një nga kulmet e karrierës së tij mbetet puna për muzikën e filmit “The Comeback Trail”, me regji të George Gallo, ku Shllaku kontribuoi si kompozitor në një produksion me aktorë të nivelit më të lartë të Hollywood-it.
Ai theksoi se do të rikthehet në korrik për 3 shfaqje të muzikës të filmave të tij, me orekstrën e TOB, në Tiranë, Shkodër dhe Prishtinë
Historia e Aldo Shllaku u soll si një shembull konkret i potencialit të diasporës shqiptare, duke reflektuar transformimin e rolit të saj nga një histori emigrimi në një burim suksesi dhe ndikimi në arenën ndërkombëtare.
/gj.m/a.f/