E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga monedha e përbashkët tek politikat e përbashkëta

15-09-2012 / Nga Ilirian Dahri

Lajmet e fundit kanë sjellë doza optimizmi për ekonominë planetare. Në veçanti tregjet kanë reaguar mirë pas valës me likuiditet që Fed po përgatit që të nxjerrë në tregjet. Padyshim kanë reaguar mirë tregjet aziatike që arrijnë të kenë një prej javëve më të mira të të gjithë vitit. Në fakt këto janë tregje shumë sensibël ndaj injektimit të likuiditeteve. Vlen të veçohet ndër to tregu i Hong Kong-ut dhe sidomos sektori imobiliar ka qenë ai që ka reaguar në mënyrë pozitive madje duke arritur në një rritje pre 2,9%. E njëjta eufori është regjistruar edhe në Tokio ku bursa japoneze ka përfunduar javën në rritje me 3,2%, ndërsa në Shangai është regjistruar një rritje më e vogël me 0,6%. Në fakt që në javën e kaluar kishte filluar një rritje e optimizmit të tregjeve. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi, natyrisht që kishte dhënë një kontribut të madh për këtë rritje. Ndërsa tani një tjetër kontribut po aq të madh po jep edhe guvernatori i Federal Reserve Bank, Ben Bernake. Një detyrë e vështirë kjo për këtë të fundit sepse Alan Greenspan ishte i njohur për të gjithë si një Mjeshtër dhe zëvendësimi i tij paraqet vështirësi të shumta. Sidoqoftë për të gjithë krerët e bankave qëndrore tashmë vështirësitë janë të shumta. Një prej tyre, presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi duhet të shqetësohet për problemet që nuk kanë të bëjnë mirëfilli me punën e tij. Tashmë janë kryesore problemet politike të një bashkimi që sipas analistëve të ndryshëm nuk ekziston ose ekziston vetëm tek monedha e përbashkët. Duket se kemi të bëjmë me një boshllëk institucional që detyron presidentin e Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi që të zëvendësojë autoritetin politik. Pra për presidentin e Bankës Qëndrore Europiane shqetësimi nuk është vetëm politika monetare tradicionale por edhe mbijetesa e euros që duhet të jetë një shqetësim i politikës. Por a do të mbijetojë euro? Kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme dhe vazhdojnë të jenë në rastet kur dy vende anëtare kanë patur dhe kanë probleme ekonomike. Sidoqoftë ka shumë nga ata që besojnë (dhe ndoshta edhe vetë rezultatet e thonë këtë) se teknicienët po bëjnë një punë të mirë. Një prej tyre është padyshim edhe presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti. Por edhe për të nuk ka qenë e lehtë sepse kur një shtet ka një nivel të borxhit shumë të lartë frika e një falimentimi është vërtet reale. Dyshimet rrisin taksën e interesit të një shteti që duhet të paguajë tek tregjet, duke rënduar në këtë mënyrë borxhin e tij. Ka shumë analistë italianë që mendojnë se rreziqet e Italisë janë të lidhura më pasigurinë politike. Nëse në këtë moment Italia është duke kryer reforma, madje shumë prej tyre i ka përfunduar, nuk dihet se çfarë mund të bëhet pas zgjedhjeve të parashikuara për vitin 2013. Natyrisht vetë vendi fqinj do të kishte probleme dhe pa një ndërhyrje nga ana e Bankës Qëndrore Europiane ndoshta edhe mund të falimentonte. Presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi ndërkaq e ka provuar në dhjetorin e vitit të kaluar me financimet afatgjata kur 500 miliardë eurot e ofruara për bankat e kishin liruar pak presionin. Është e vërtetë që për pak muaj diçka u ndreq por problem nuk u zgjidh përgjithmonë. Ndoshta një mënyrë tjetër për të zgjidhur gjithçka do të ishte që Banka Qëndrore Europiane të blinte një sasi të pakufizuar titujsh të vendeve që do të ishin afër falimentimit. Por edhe në këtë rast ky angazhim do të shkatërronte disiplinën e tregjeve sepse në mungesë të një bashkimi politik, Europa ka besuar tek tregjet për të forcuar qeveritë dhe disiplinën fiskale. Një disiplinë kjo që është thyer që me Paktin e Stabilitetit pothuajse nga të gjithë vendet europiane përfshi këtu edhe Francën apo Gjermaninë. Natyrisht nëse vendet që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në krizë kanë kryer reformat e tyre të rëndësishme kjo nuk ka ardhur si pasojë e masave shtrënguese të Bashkimit Europian por nga presioni i tregjeve. Dhe kjo vlen për shtete si Italia, Spanja, Irlanda, Portugalia dhe Greqia.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›