Rrëzohet paketa e Edi Ramës, që synonte vendosjen e diktaturës së pakicës

Këshilli i Legjislacionit rrëzon me shumicë votash paketën e propozimeve socialiste për ndryshime kushtetuese, duke e cilësuar atë si një tentativë që synon paralizimin e sistemit të drejtësisë. Relatorja demokrate, Paulina Hoti: Propozimet e PS-së ofrojnë bllokim institucional
Pas një seance maratonë prej 10 orë diskutimesh në Këshillin e Legjislacionit, mazhoranca rrëzoi paketën e propozimeve të PS, për ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi. Me 16 vota kundër dhe 11 pro “pro”, mazhoranca hodhi poshtë kërkesat e PS, duke e cilësuar draftin e socialistëve si tentativë për të paralizuar sistemin e drejtësisë. Propozimet do të kalojnë për shqyrtim në seancën parlamentare, bazuar kjo në rregulloren dhe dispozitat ligjore.
Shumica parlamentare i kërkoi opozitës të tërhiqte paketën për ndryshimet e kërkuara për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Por ndërsa deputetët socialiste nuk e pranuan këtë kërkesë, Këshilli i Legjislacionit vendosi që propozimet do të kalojnë për shqyrtim në seancën parlamentare, bazuar kjo në rregulloren dhe dispozitat ligjore.
Mazhoranca kërkoi që të votohet në parim rrëzimi i këtyre propozimeve, pasi sipas relatores demokrate, Paulina Hoti, “këto propozime janë të pabazuara në argumente ligjore”.
Sipas saj, “nisma e socialistëve cenon procedurat demokratike në Kuvend, ul legjitimitetin e rendit kushtetues, dobëson rolin e opozitës dhe krijon mundësi për pazare. “Propozimet e PS-së ofrojnë bllokim institucional”, tha ajo.
Duke arsyetuar më gjerësisht çështjen përfaqësuesja e mazhorancës theksoi se propozimi i socialistëve bie ndesh me atë çka palët politike arritën në unanimitet 4 vjet më parë, me ndryshimet kushtetuese, duke zgjidhur optimalisht krizën e zgjedhjes së Presidentit nga Kuvendi.
“Amendamentet kushtetuese të paraqitura janë në kundërshtim të plotë me frymën e Kushtetutës dhe të jurisprudencës së vendosur ndër vite nga Gjykata jonë Kushtetutuese. Amendamendet e propozuara nuk e shohin Kushtetutën si dokumentin themeltar që jep zgjidhje, por si dokumentin themeltar që jep bllokimin. Mosparashikimi i zgjidhjeve ose i të ashtuquajturave - exit strategy - janë në kundërshtim edhe me vetë historikun e Kushtetutës shqiptare dhe traditën kushtetuese evropiane. Edhe pse Kushtetuta jonë e miratuar në vitin 1998, parashikonte rrugën e daljes, me kosto relativisht të lartë siç ishin zgjedhjet e parakohshme, klasa politike shqiptare unanimisht në 2008-ën vendosi zgjidhjen optimale të çështjes së zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga Kuvendi. Ndërkohë, amendamentet e paraqitura nga grupi parlamentar i partisë socialiste veçse do të sillnin një situatë akoma më të rëndë sesa parashikimi i bërë në Kushtetutë në këtë drejtim, në vitin 1998. Ato konservojnë pafundësisht zgjidhjet numerike me supermazhoranca dhe nuk japin as dritën më të vogël të zgjidhjeve ligjore institucionale në kushtet e bllokimit politik. Në këto kushte, amendamente të tilla, Kushtetutën nuk e shohin si zgjidhje të problemit por kërkojnë ta kthejnë atë në problem”, tha Hoti. Deputetja e PD theksoi se një tjetër rrezik që vjen nga nisma kushtetuese e opozitës, është cenimi i sistemit “chech and balance” dhe pengmarrja jo nga minoranca, por nga një grup i vogël deputetësh në Kuvend.
“Projektamendamentet e propozuara prishin sistemin e “check and balance” të vendosur dhe të konsoliduar në këto vite nga Kushtetuta shqiptare dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese. Nëpërmjet tyre synohet të vendoset një sistem abuziv i “kapjes” së veprimtarisë shtetërore kolegjiale, ndërkohë që vetë sistemi, ashtu siç është i parashikuar, karakterizohet nga ruajtja dhe balanca e kërkuar, sistem i çertifikuar si demokratik ndër vite në nivelet më optimale. Jashtë çdo logjike sistemi, projektamendamentet e propozuara kërkojnë të faktorizojnë me peshë të pamasë politike pushtetin, jo të minorancës në Kuvend, por të një numri të vogël deputetësh”, theksoi relatorja demokrate.
Duke iu drejtuar deputetëve socialistë, znj.Hoti shtoi se, “amendamentet e propozuar duhet të vendosen, të shihen dhe të analizohen në kontekstin politik shqiptar dhe veçanërisht me bilancin negativ të jetës politike parlamentare. Mjafton të rikujtohen këtu shembujt e vonesës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës në vitin 2007, bojkotin në vijimësi të institucionit të Kuvendit, të votimeve që behën në Kuvend, etj”.
Amendamentet, tha ajo, kërkojnë të instalojnë një supertirani të minorancës duke shkelur parimin kushtetuese të shumicës parlamentare.
“Parimi ‘check and balance’, stabiliteti institucional, konsensusi i mundshëm politik dhe mbrojtja e të drejtave të pakicës, janë institute të konsoliduara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe tashmë të përforcuara nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese. Imponimi i mazhorancave të cilësuara në këtë drejtim paraqitet si një gjë e huaj në to, unike në llojin e vet dhe absolutisht pa asnjë mbështetje në doktrinë dhe në modele kushtetutash të vendeve me demokraci të konsoliduar”, vijoi ajo.
Më tej, Hoti vuri në dukje se duke konsideruar edhe opinionin e ekspertëve vendas dhe huaj, ndryshimet kushtetuese kanë nevojë për më shumë kohë në dispozicion dhe diskutim të gjerë.
“Do të më lejoni të shprehem se bashkëndaj plotësisht mendimet e ekspertëve të huaj dhe vendas që u shprehën sot këtu. Ndryshime të tilla kushtetuese kanë nevojë për një diskutim më të thellë dhe për një kohë më të gjatë në dispozicion. Por kërkoj të theksoj gjithashtu se mendimi im mbi rrëzimin parimisht të amendamenteve nuk është në kontradiktë me nevojën për kohë dhe diskutim të gjerë. Në fakt, proçedurialisht ky sugjerim mund të respektohet vetëm në dy mënyra: ose nismëtarët tërheqin nismën; ose ne votojmë parimisht kundër. Nëse nismëtarët tërheqin nismën unë i mbështes plotësisht. Nëse ata nuk e tërheqin nismën, unë i ftoj të votojnë kundër parimisht, theksoi më tej ajo.
Ndërkaq, edhe konstitucionalistët më në zë në vend i kanë kërkuar klasës politike që të marrë kohën e nevojshme për të bërë ndryshimet kushtetuese për sa i përket paketës së propozuar nga Partia Socialiste. Ndërsa përfaqësuesit e EURALIUS dhe OSBE-së, kërkuan fillimisht miratimin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit dhe më pas shqyrtimin dhe diskutimin e reformës në drejtësi të kërkuar nga opozita.
Rreziqet e bllokimit institucional
- projektamendamentet e mësipërme abuzivisht cenojnë barazinë e votës në Kuvend,
- abuzivisht deformojnë parimin e check and balance të mirë përcaktuar në Kushtetutë,
- përqendrojnë pushtet politik dhe vendimmarrës në duart e një numri të vogël
deputetësh, jashtë peshës që ju ka dhënë zgjedhësit me votë,
- ofrojnë bllokim institucional të organizimit kushtetues dhe shtetëror të vendit,
- dalin haptazi kundër kulturës dhe traditës kushtetuese të Shqipërisë
- ndryshe nga sa pretendohet cenojnë procedurat demokratike në Kuvend, dobësojnë rolin e opozitës sepse krijojnë mundësi “pazaresh’ politike në kurriz të legjitimitetit demokratik të institucioneve.
- ulin legjitimitetin e rendit kushtetues në Shqipëri