Nga sot, Banka Amerikane emërtohet “Intesa Sanpaolo Bank Albania”
TIRANE-Banka Amerikane e Shqipërisë ndryshon zyrtarisht emrin, duke u bërë kështu pjesë e grupit më të madh bankar në zonën euro, Intesa Sanpaolo. Nga sot, ajo do të njihet në tregun bankar shqiptar si "Intesa Sanpaolo Bank Albania", duke ndryshuar edhe identitetin e saj viziv. Më 29 qershor të vitit 2007, Banka Amerikane e Shqipërisë u bë faktikisht pjesë e grupit Intesa Sanpaolo, një prej grupimeve bankare më të fuqishme në Evropë. Intesa Sanpaolo Bank Albania, me mbi 130.000 klientët të saj, i bashkohen një familjeje akoma më të madhe, me mbi 19.7 milionë klientë ne Itali, Evropën Qendrore e Juglindore, si dhe në rajonin e Mesdheut. Ajo ka 35 degë vetëm në Shqipëri dhe Greqi. Ajo është formuar nga bashkimi i dy nga bankave më të mëdha italiane, Banca Intesa dhe Sanpaolo IMI, që çoi krijimin e një sinergjie vlerash të përbashkëta, duke rritur mundësinë për shtimin dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj klientëve, mbështetjen maksimale për biznesin dhe përshpejtimin e rritjes dhe zhvillimin ekonomik të vendeve ku është e pranishme. Duke vënë në shërbim të klientëve të saj eksperiencën dhe njohuritë e çmuara të grupit, Intesa Sanpaolo Bank Albania do të vazhdojë të forcojë rolin e saj për të mbështetur zhvillimin e vendit, si dhe mireqënien e familjeve shqiptare, e udhëhequr nga parimet e saj të integritetit, përmirësimit të vazhdueshëm, transparencës, respektit për diversitetin, barazinë, vlerat e individit, si dhe përgjegjësinë në përdorimin e burimeve.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)