Nga sot çmime të reja në karburante, ja sa do shitet nafta dhe benzina

Bordi i Transparencës ka vendosur uljen me 3 lekë të çmimit të naftës dhe benzinës në Shqipëri. Vendimi është marrë sot dhe hyn në fuqi në orën 11:30.
Sipas vendimit të Bordit, nafta do të tregtohet me pakicë me një çmim jo më të lartë se 210 lekë për litër, nga 213 lekë që ishte çmimi i mëparshëm. Ndërkohë, çmimi me shumicë do të jetë jo më shumë se 198 lekë për litër.
Edhe benzina pëson një ulje me 3 lekë. Çmimi maksimal i shitjes me pakicë është përcaktuar në 190 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në 178 lekë për litër.
Vendimi u mor në mbledhjen e dytë të Bordit të Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit, në kuadër të masave të ndërmarra pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, 7 tetor, në orën 11:30, dhe do të jenë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të shqyrtohen ndryshimet e mundshme të çmimeve.
Bordi ka paralajmëruar operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë që të zbatojnë vendimin. Në rast konstatimi të shkeljeve, ndaj operatorëve mund të merret masa e pezullimit të aktivitetit.
/rtsh.al/