Ngërçi me pagat në drejtësi, bojkot në disa gjykata, vijojnë vetëm seancat për masat e sigurisë

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Ngërçi i krijuar për pagat në sistemin e drejtësisë ka sjellë bojkotin e punës nga administratat e disa gjykatave në vend, duke kufizuar shërbimet për qytetarët dhe proceset gjyqësore.
Për të mos penalizuar personat e arrestuar, në gjykata po zhvillohen vetëm seancat për vlerësimin dhe caktimin e masave të sigurisë.
Në Gjykatën e Tiranës, bojkoti vijon për të dytën ditë radhazi. Punonjësit dhe sekretarët gjyqësorë të Dhomës Civile dhe asaj Penale nuk po ofrojnë shërbime.
Edhe administrata e Gjykatës së Fierit iu bashkua sot bojkotit, për të njëjtën arsye. Shërbimet për qytetarët janë ndërprerë, ndërsa zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë.
Ndërkohë, në Vlorë, bojkoti ka sjellë mbylljen e dyerve të gjykatës. Shërbimi për qytetarët është kufizuar në vetëm 15 minuta në ditë, ndërsa sot nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore, përveç rasteve që lidhen me masat e sigurisë.
Në Lushnjë, rreth 35 punonjës të administratës së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë bojkotuan punën për rreth dy orë.
/gj.m/a.f/