E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Rezultatet e PISA 2025, Shqipëria në kategorinë ‘raportim i kufizuar’

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Lili Sula, ka reaguar lidhur me rezultatet e Shqipërisë në testimin PISA 2025, duke theksuar se të dhënat janë shënuar me asterisk nga OECD dhe se vendi është përfshirë në kategorinë “raportim i kufizuar”.

Sula deklaroi se kjo lidhet me mënyrën e përzgjedhjes së kampionit që nuk ka përmbushur standardet e PISA-s.

“Me fjalë të thjeshta: jo të gjithë nxënësit shqiptarë u përfaqësuan siç duhet në testimin e PISA”, tha Sula.

Sipas saj, shkollat me më pak se 21 nxënës të kualifikuar nuk janë përfshirë në testim. Ajo pretendon se një pjesë e tyre ndodhen në zona rurale ose të varfra dhe u shërbejnë nxënësve që historikisht kanë rezultate më të dobëta.

Sula argumentoi se përjashtimi i këtyre nxënësve mund të ndikojë në rritjen e mesatares kombëtare, ndërsa, sipas saj, ky boshllëk nuk mund të korrigjohet përmes përllogaritjeve statistikore.

Ajo ngriti shqetësime edhe për pjesëmarrjen e shkollave, duke deklaruar se vetëm 76% e shkollave të përzgjedhura morën pjesë në testim, ndërsa standardi i PISA-s kërkon të paktën 85%.

Sipas të dhënave të cituara prej saj, Shqipëria mori 434.5 pikë në shkencë, kundrejt mesatares së OECD-së prej 482 pikësh; 433 pikë në matematikë, kundrejt 463 pikëve mesatare, dhe 408 pikë në lexim, kundrejt mesatares prej 461 pikësh.

Sula tha se më shumë se gjysma e 15-vjeçarëve nuk arrijnë nivelin minimal të njohurive, nivelin 2 të PISA-s. Ajo theksoi veçanërisht rezultatet në lexim, duke e cilësuar aftësinë për të kuptuar tekstin si një parakusht për të nxënit.

Sipas saj, asnjë nxënës shqiptar nuk arriti nivelet më të larta në lexim.

Në vijim, ajo prezantoi edhe propozimet e Partisë Demokratike për arsimin, duke përfshirë një program kombëtar për leximin, matematikën dhe shkencën, rritjen e pagave të mësuesve dhe lidhjen e karrierës me meritën, kualifikimin dhe rezultatet.

PD propozon gjithashtu depolitizimin e emërimeve të drejtorëve dhe administratës arsimore, investime në laboratorë, biblioteka, teknologji dhe transport për nxënësit e zonave rurale, si dhe garantimin që shkollat e vogla dhe fëmijët të mos përjashtohen nga politikat kombëtare të arsimit.

Sipas Sulës, një tjetër prioritet duhet të jetë transparenca në testimet kombëtare dhe ndërkombëtare, zhvillimi i arsimit profesional në bashkëpunim me biznesin, programet kundër analfabetizmit funksional dhe braktisjes së shkollës, si dhe mbështetja e familjeve në nevojë.

“Synimi ynë është i matshëm: arritja e nivelit mesatar të PISA-s, më pak pabarazi ndërmjet qytetit dhe fshatit dhe një shkollë që u jep fëmijëve dije e mundësi reale”, deklaroi Sula.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›