Ngërçi në Kosovë, Kurti: Deputetët e opozitës po sillen si nomadë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka akuzuar opozitën se nuk dëshirojnë të ketë një Kuvend funksional dhe se po sillen si “deputetë nomadë” që nuk “dëshirojnë të kenë shtëpinë e tyre”.
Kurti tha se shtëpia e deputetëve është Kuvendi, ndërsa shtoi se opozita nuk po dëshiron që ta konstituojë atë.
“Në këtë frymë më lejoni që deputetët opozitarë të cilët nuk po duan që Kosova të ketë Kuvend, pra që ata të kenë shtëpi, t’i quaj deputetë nomadë, sepse nomadët janë ata të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi. Këta janë deputetë nomad, të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, sepse shtëpia, Kuvendi, Parlamenti i Republikës është shtëpia e deputetëve, sidomos opozitarë”, tha Kurti.
Sipas Kurtit konstituimi i Kuvendit i nevojitet opozitës më së shumti, pasi aty kanë të drejtën e tyre për të vendosur dhe kërkuar llogari qeverisë.
“Nuk ka Kuvend që i nevojitet ndonjë deputeti, sikurse atyre opozitarë. Kuvendi është mënyra dhe mjeti i tyre edhe më i vlefshëm se sa për mazhorancën, por paradoksi është që pikërisht deputetët e mazhorancës po e duan më shumë Kuvendin, e ata e kanë qeverinë, e deputetët e opozitës që nuk kanë qeveri e kanë veçse Kuvendin, nuk po e duan Kuvendin”, tha Kurti.
Këto deklarata u bënë pasi sot dështoi sërish seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
/rtsh.al/