E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngërçi politik, Lohan: Po vihet në rrezik integrimi

Protestat e përditshme të opozitës dhe greva e urisë që po vazhdon tashmë prej ditësh vazhdon të përcjellë një mesazh negativ në faktorin ndërkombëtar. Përfaqësitë e tyre në vendin tonë deklarojnë se po vihet seriozisht në rrezik integrimi i vendit me këtë ngërç politik të krijuar. Pohimi i fundit u bë dje nga kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në vendin tonë, Helmut Lohan, i cili ishte i pranishëm në aktivitetin e javës evropiane në Durrës. Sipas kreut të KE-së, situata politike në Shqipëri i vështirëson asaj rrugën e integrimit. Realisht, rruga juaj drejt Evropës është shumë e vështirë, - ka pohuar ai. Sipas tij, shqiptarët nuk duhet të mendojnë për Evropën vetëm në një ditë, por duhet të mendojnë dhe punojnë për tu bërë pjesë e saj gjatë gjithë vitit. Pak ditë më parë ka qenë komisioneri për Zgjerimin në KE, Stefan Fule, i cili në një intervistë ekskluzive për standard ka pohuar se një Parlament funksional është thelbësor për një demokraci funksionale. Nëse situata e tanishme politike vend-qëndro do të vazhdojë, ajo do të pengojë Shqipërinë të arrijë standardet politike që kërkohen nga një vend që ka aplikuar për të qenë anëtar i Bashkimit Evropian. Pas tij edhe bashkëkryetari i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, në një intervistë për "Zërin e Amerikës" tha se do të ishte më mirë të mos kishte përplasje të tillë publike, pasi, pa dyshim, si një vend i ri anëtar i NATO-s dhe si një vend që kërkon të anëtarësohet në BE, do të ishte më mirë po të kishte stabilitet. Në Shtetet e Bashkuara ne vendosim gjithçka përmes procesit kushtetues. Kjo duhet të ndodhë edhe me Shqipërinë, - ka pohuar ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›