E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngërçi politik, negociata sekrete PD-PS në ambasadën e ShBA-së

Mision diplomatik blic i zv.drejtorit për Europën Qendrore dhe Jugore në DASH, Gregorian, takim në ambasadë me Ilir Rusmalin e PD-së dhe Ditmir Bushatin e PS-së.

TIRANË Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, po deklaronte dje se nuk do të jepte konsensusin për projektligjet me 3/5-at e votave dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, po e akuzonte se ai po bllokonte integrimin e vendit, në një tjetër ndërtesë, në Rrugën e Elbasanit, po zhvilloheshin negociata larg deklaratave publike të ditës. Dje në mesditë, deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, i cili është edhe hartuesi kryesor i paketës së propozimeve për ndryshimin e rregullores, dhe deputeti i PD-së, Ilir Rusmali, kanë ngjitur shkallet e ambasadës amerikane në Tiranë, për të zhvilluar një takim krejtësisht konfidencial me zv.drejtorin për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Raffi Gregorian. Palët kanë konfirmuar takimin, ndërkohë që për përmbajtjen janë treguar të rezervuar. Kësaj here nuk bëhet fjalë për takim rutinë, që shpeshherë deputetë të forcave politike zhvillojnë me zyrtarë të ambasadës, por për negociata konkrete, synimi i të cilave është gjetja e një pakti mes palëve para muajit tetor. Nga burime pranë dy partive të mëdha, mësohet se gjatë takimit është diskutuar rreth situatës në vend dhe hapave konkretë që Shqipëria duhet të ndërmarrë me qëllim të zgjidhë ngërçin politik që po vijon që prej 2 vjetësh e ca. Vizita e Gregorian-it vjen një javë pasi dy ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë ishin në Tiranë pikërisht për të negociuar mbi krizën politike, por pa mundur të arrijnë rezultat konkret. Fakti që misioni i numrit 2 të Drejtorisë për Europën Qendrore dhe Jugore nuk u bë publik, flet për një mision të rëndësishëm diplomatik të ShBA-së.

Vizita para një jave

Pak ditë më parë, në vizitën e tyre të përbashkët, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini dhe ai grek, Stavros Lambrinidis, i këshilluan klasës politike shqiptare se fokusi i saj duhet të ishin 12 kriteret e kërkuara nga Brukseli. Ata garantuan mbështetje për Shqipërinë, por vetëm nëse forcat politike shqiptare do të angazhoheshin seriozisht për vënien e premtimeve në jetë. Por situata në klasën politike shqiptare nuk ndryshoi. PS-ja këmbëngul se nuk do të votojë asnjë ligj të rëndësishëm në rast se nuk rikthehen për rishqyrtim. Në anën tjetër PD-ja i mbetet qëndrimit se pengesa nuk janë ligjet, por qëndrimi i partisë më të madhe të opozitës. Gjithashtu, reforma zgjedhore nuk ka filluar ende, ndërkohë që dy PD-PS po përplasen edhe për një tjetër paketë, ajo që lidhet me reformën në Kuvend. Në këto kushte futet sërish në lojë ShBA, vendi që në fakt garantoi futjen e Shqipërisë në NATO, si dhe aleatja më strategjike, që vendi ynë ka pasur. Takimet dhe negociatat tanimë kanë filluar. Të mandatuarit e dy partive të mëdha, Bushati dhe Rusmali i morën edhe njëherë detyrat. Se sa do të merren parasysh, kjo do të shihet vetëm ditët në vijim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›