Të djathtët marrin shumicën në Fier, këshilltari i majtë ndryshon kampin politik
E djathta krijon mazhorancën në këshillin bashkiak të Fierit. Largimi nga grupimi i “Aleancës për të Ardhmen” i këshilltarit Aleksandër Myrtaj dhe bashkimi i votës së tij me këshilltarët e koalicionit të “Aleancës për Qytetarin” ka sjell rikonfigurim të këtij këshilli. E djathta e përbërë nga PD, PR, PDIU, dhe LSI arriti në numrin 18 të këshilltarëve. Por jo vetëm kaq. Dje këta këshilltarë kërkuan mocion mosbesimi ndaj kreut të këshillit bashkiak të dalë nga votimi i 21 korrikut, Donika Jorgaqit. Kjo e fundit u shkarkua me motivacionin për shkelje të procedurave ligjore dhe për mungesë të transparencës në konstituimin e këshillit bashkiak në ngritjen e komisioneve të miratuara në këshill etj. Pas kësaj procedure, po me votim, pa praninë e këshilltarëve të “Aleancës për të Ardhmen”, këshilltarët e pranishëm zgjodhën kreun e ri të këshillit bashkiak, Vasil Ndrekon. Po me votim u zgjodh edhe njëri prej nënkryetarëve të këshillit bashkiak, përfaqësues sërish nga “Aleanca për Qytetarin”, Zamira Çaushaj. Mbledhja ka vijuar më pas me shkarkimin e bordit drejtues të Ujësjellësit. Të katër anëtarët e këtij bordi, Xhevit Bushi, që është edhe kreu i PS së rrethit Fier, Josif Gjonce, Kozma Sako dhe Asqeri Muhaj, janë shkarkuar me votat e këshilltarëve të pranishëm, ndërsa janë zëvendësuar po me proces votimi me katër emra të tjerë” Agim Mero, Asip Demo, Enkeljd Rexhepi dhe Gëzim Hasani. Sakaq në përfundim të kësaj mbledhjeje u zgjodhën edhe këshilltarët e rinj për në këshillin e qarkut. Ata janë Fatmir Kajolli, Aleksandër Myrtaj, Admirim Shehu dhe Eduart Xhaferri. Zëri i vetëm në këtë mbledhje kundër ka qenë ai i përfaqësuesit të zyrës juridike në bashki, Luan Çala. Ai e ka quajtur mbledhjen një shkelje ligjore e ligjit mbi funksionimin e pushtetit vendor.
Ndërkohë që në mbledhje kanë qenë të pranishëm edhe deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Vasillaq Ngresi të Partisë Demokratike. Menjëherë pas mbledhjes kreu i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqo, e ka quajtur këtë mbledhje të paligjshme dhe një vazhdë të veprimtarisë kundër qytetarëve fierakë që po ndjek sipas tij Partia Demokratike në Fier. Ndërsa deputeti i PS, Armando Subashi, tha në këtë konferencë se ligji nuk lejon që 18 këshilltarët të marrin vendim pa praninë e kreut të këshillit si dhe njoftimi i bërë prej tyre është pa dijeninë e kryetarit të këshillit bashkiak. Ai pohoi se ky veprim është në vazhdën e trafikut të votave dhe se do të presin vendimin e prefektit të qarkut, ndërsa do të kalojnë më pas procesin në rrugë gjyqësore.