E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngërçi!

 Shqipëria po përjeton një ngërç institucional. Refuzimi nga Kuvendi i dekreteve të presidentit Topi për pesë kandidatët-anëtarë të Gjykatës së Lartë i çoi në njëfarë acarimi të panevojshëm marrëdhëniet institucionale ndërmjet Presidencës dhe Parlamentit. Një refuzim i tillë pritej pak a shumë, nisur nga zhurma mediatike paraprirëse e votimit të datës 15 qershor.

Por ajo që nuk pritej, ishte rezultati 0-5 i votimit që dëshmonte për një qëndrim emocional të deputetëve që ishin “zëmëruar” me Presidentin se përse nuk kishte “denjuar” t’i konsultonte ata para se të hartonte listën e gjykatësve.

Politika kërkon njëfarë finese elementare, një takt sado të thjeshtë, për të bindur njerëzit në drejtësinë e argumenteve të një pale të caktuar, për një veprimtari apo proces të caktuar politik. Mohimi total inatçor 0-5 për kandidaturat e paraqitura nga presidenti Topi, është në fakt dëshmia që “meraku” i mazhorancës nuk ishte ligji dhe zbatimi i tij.

Sot, askush nuk mund të mendojë që Presidenti ynë, aq i njohur si njeri i matur e i ekuilibruar, mund të gabojë totalisht në të pesë emrat e propozuar.

Pjesa e zëmëruar e Kuvendit, ka të drejtën e saj t’i gjykojë problemet në këndvështrimin e saj. Mirëpo vetë mazhoranca përse nuk mendoi, para votimit, të testojë tërthorazi e me kujdes qëndrimin e pritshëm të aleatit tonë të madh, SHBA, për ecurinë e fatit të dekreteve të Presidentit në Parlament? Dikush mund të thotë që ne jemi vend i pavarur dhe kemi qëndrimin tonë origjinal për problemet tona. Është e vërtetë. Por të mos harrojmë që, aktualisht, interesat tona më të mëdha sot, janë paralele me ato amerikane në rajon. SHBA-së i intereson një Shqipëri e qetë, prospere dhe pa konflikte të brendshme politike apo institucionale. Edhe shqiptarëve, e në fund të fundit, edhe PD-së dhe PS-së, e jo vetëm atyre, por të gjitha partive të tjera politike, do t’i interesonte e njëjta gjë. Atëherë, vallë, do të quhej servilizëm një testim sado i vogël i qëndrimit amerikan dhe atij të BE-së lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve të rinj për Gjykatën e Lartë? Absolutisht jo.

Në problemet e mprehta politike duhet vënë në jetë sentenca e njohur popullore “matu shtatë herë dhe prite një herë”. E në këtë kornizë, një testim “larg e larg” të qëndrimit amerikan, e mbase edhe të atij europian, mund të bëhej fare mirë pa u shqetësuar për “pavarësinë e dhunuar” të Parlamentit tonë.

Ne kemi një detyrim madhor ndaj Kombit tonë që, për ta integruar vendin në BE, të bëjmë aq sa kemi në dorë, që proceset tona të brendshme të rrjedhin normalisht dhe pa përplasje apo konflikte të skajshme.

Ndërkohë, kemi edhe një detyrim jo të vogël historik ndaj SHBA: që të bashkëpunojmë me të ngushtësisht për rrugëtimin tonë drejt së ardhmes demokratike të vendit. Ishin SHBA dhe NATO ato që shpëtuan qenien tonë si komb nga agresioni i përbindshëm i Millosheviçit. Në të tilla rrethana, është një gabim i kushtueshëm injorimi i qëndrimit të aleatëve tanë për probleme që, ndonëse mund të duken thjesht shqiptare, nuk janë vetëm shqiptare. Një dobësim i Shqipërisë sot, për kapriçio partiake të motivuara dobët, prish balancën e re të vendosur në Ballkan. Tashmë ne nuk jemi një element i shpërfillur në rajon, por një faktor i dorës së parë në gjeopolitikën e re të Gadishullit. Ne duhet të mos ngurrojmë për t’ia bërë shërbimin si duhet këtij roli të ri. Dhe hapi më i vogël i mundshëm është qetësimi i tensionit të panevojshëm Presidencë-Kuvend.

A e kanë të qartë politikanët shqiptarë se sa e rëndë është për një ambasador të shprehet “pa dorashka” për problemet “e brendshme” të vendit ku është akredituar?

U injorua qëndrimi i miqve tanë, duke e detyruar Ambasadorin e SHBA ta quajë “të padenjë” rezultatin e bujshëm 0-5 të lartpërmendur. Pra, ne dëshmuam që nuk marrim vesh fare, jo nga politika e madhe, por as nga ajo e vogël. I duam sugjerimet “tullë”, sepse në inat e sipër, mendojmë vetëm të shfryjmë dufin e çastit pa menduar për pasojat. Injorimi i SHBA dhe i Europës në veprimtaritë tona politike, është gabimi më i madh i mundshëm, është investimi më i keq, është shërbimi më i dëmshëm që ne mund t’i bëjmë Kombit tonë. Sa për ilustrim, mjafton vetëm një shifër tejet domethënëse: 1997.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›