Ngjarje e rëndë në Pogradec, bashkëshorti plagos me thikë gruan pas konfliktit, ndalohet nga policia. E reja transportohet me helikopter drejt Tiranës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në lagjen numër 4 të Pogradecit ku burri ka plagosur me thikë gruan 28-vjeçare. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes bashkëshortëve dhe në sherr e sipër, 30-vjeçari B.XH. e ka goditur me thikë gruan duke i shkaktuar plagë të rënda.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se autori vuan nga probleme të shëndetit mendor. E reja është dërguar në spitalin e Pogradecit ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas është dërguar me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
Autori është shoqëruar nga policia e Pogradecit në ambientet e komisariatit, ndërkohë që vijon puna nga grupi hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
NJOFTIMI I POLICISË
Plagosi me mjet prerës (thikë) bashkëshorten e tij, kapet në flagrancë në banesë falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe shoqërohet në Komisariat 30-vjeçari.
Rreth orës 13:30, në lagjen nr. 4, Pogradec, shtetasi R. Xh., 30 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti në banesë ka plagosur me mjet prerës (thikë) bashkëshorten e tij, shtetasen B. Xh., 28 vjeçe, e cila po merr mjekim në spital.
30-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pogradec dhe po kryhen veprimet procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.