E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtimi i këshillit, dështojnë votimet në komunën Ulëz

ULËZ- Ndërsa në Tiranë, beteja për kryeqytetin po shkon drejt fundit, në qarqet e tjera problemi kryesor në konstituimin e këshillave qëndron te drejtimi. Rasti më tipik është ai i komunës së Ulzës, ku deri më tani janë kryer tre votime dhe ende nuk është zgjedhur kryetari i këshillit të Komunës Ulëz. Në dy votimet e para, kandidatët në garë kanë marrë numër të barabartë votash, ndërkohë në votimin e fundit janë larguar këshilltarët e majtë dhe e djathta nuk ka siguruar numrin e mjaftueshëm të votave për zgjedhjen e kryetarit të këshillit. Vetëm pak ditë pas mbledhjes së parë, kur janë kryer dy votime dhe dy kandidatët kanë siguruar nga gjashtë vota, socialistët i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor për zgjidhjen e këtij konflikti, duke ngritur shqetësimin e tyre se kandidati i majtë kishte siguruar shtatë vota, por e djathta pretendonte se shenja në fletën e votimit kishte dalë pak milimetra nga kuadrati. Pra, socialistët i kanë kërkuar gjykatës rivlerësim të votave, por kjo e fundit nuk e ka nisur ende procesin e kërkuar nga PS-ja e Matit. Ndërkohë e djathta ka mbledhur dy ditë më parë 7 nga 13 këshilltarët dhe ka tentuar të zgjedhë kryetarin e ri të këshillit bashkiak, por njëri nga këshilltarët ka abstenuar dhe kjo ka bërë që as këtë herë kryetari të mos zgjidhet. E njëjta situatë paraqitet dhe në shumë komuna të tjera të Matit, Bulqizës e Dibrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›