E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Pse po bashkëpunoj me Partinë Socialiste

Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, i kthen përgjigje deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar. "Ajo deklaratë tregonte se kërcen prifti nga belaja. Ajo deklaratë nuk është politike, por ai është i shqetësuar për këtë marrëveshje që kam bërë unë me Partinë Socialiste", tha Ngjela. I ftuar në emisionin "Top Story" në "Top Channel", avokat Ngjela rrëfeu arsyet pse është pozicionuar kundër Sali Berishës, duke bërë një pakt me kreun e PS-së, Edi Rama. "Unë jam një njeri që bëj marrëveshje me pikëpamjet e mia dhe nuk i shkoj askujt përkrah. Politikisht kjo trajtohet kështu", u shpreh Ngjela. Një prej avokatëve më të njohur, i cili ka shënuar në axhendën e tij si avokat kundërshtimin e marrëveshjes së kufijve detarë Shqipëri-Greqi, bëri me dije se do t‘i shkojë kësaj çështjeje deri në fund. Ngjela tha se thelbi i marrëveshjes së partisë së tij me PS-në është gjyqësori dhe reformat. Avokat Ngjela sqaroi se me Ramën ka rënë dakord për reformat dhe se kanë një marrëveshje për shtetin. "Jam i dëmtuar nga zgjedhjet e fundit dhe të gjithë e dinë që kjo qeveri nuk është legjitime, sepse ajo nuk hap kutitë", tha Ngjela. Ai shtoi se ai nuk do ta shkelë marrëveshjen me PS-në për çështjen e pavarësisë së gjyqësorit. Pyetjes se ku qëndron morali politik në rastin kur në zgjedhjet e 2003-shit Ngjela ishte përballë Edi Ramës për Bashkinë e Tiranës e kërkoi hapjen e kutive dhe ai nuk i hapi, e njëjta histori përsëritet në 2009-ën, avokat Ngjela i është përgjigjur se kjo nuk është çështje morali, por qëndrimi. "Unë nuk kam ndryshuar qëndrim, unë kam luftë totale me këto zgjedhje. Sepse zgjedhjet janë manipuluar", tha Ngjela. Sipas tij, kjo histori ka filluar që në vitin 1975, kur është përballur me regjimin komunist. "Nga bindjet e mia nuk heq kurrë dorë", tha ai. Avokat Ngjela theksoi se e ka marrë shumë seriozisht politikën. "Zgjedhjet i kontestoj si të vjedhura. Kushdo që vjen të bëjë marrëveshje me mua, jam i hapur. Marrëveshja ime është për votën e lirë dhe këtë marrëveshje me mua e bëjnë të gjithë", tha Ngjela. Ai tha se kërkon kutitë, për të nxjerrë faktet juridike. "Kërkoj hapjen e kutive", tha Ngjela, duke deklaruar se cili është amoraliteti në këtë rast. Kryetari i PLD-së bëri me dije se në rast se nuk do të kishte një garanci nga PS-ja, nuk do të kishte bërë marrëveshje, duke shtuar se psikologjia lind nga bashkëbisedimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›