Anëtari i Kryesisë, Beja: Të ndahen postet qeveritare nga ato partiake
Ministrat nuk duhet të mbajnë edhe poste në sekretariatin e partisë. Kjo ishte ideja e hedhur dje nga ish-ministri i Arsimit, Fatos Beja, aktualisht deputet i Partisë Demokratike. Më 12 dhjetor, Partia Demokratike do të zgjedhë kryetarin e PD-së, do të zgjedhë 100 anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe do të përcaktojë strukturën e re të Kryesisë së partisë. Po kështu, në zgjedhjet e 12 dhjetorit, do të votohen edhe sekretarët e rinj të Partisë Demokratike. Gjatë kësaj periudhe, 68 deputetët demokratë pritet të përfshihen në debate për mënyrën sesi do të menaxhohet politikisht partia më e madhe e cila drejton vendin. Në rolin e anëtarit të Kryesisë së PD-së, deputeti demokrat, Fatos Beja, shprehet hapur se PD duhet të ndajë postet qeveritare nga ato partiake. Sipas tij, kjo ndarje do të shmangte monopolizimin e partisë. "Ekstremet nuk janë asnjëherë të mira. Në qoftë se të gjithë drejtuesit e partisë do të vënë të tërë në pushtet dhe s‘ngelet askush te partia, partia humbet forcën", u shpreh Beja. Sipas tij është e vështirë për një njeri të drejtojë një dikaster të rëndësishëm që ka detyrime të mëdha dhe përgjegjësi ndaj gjithë popullsisë jo vetëm ndaj partisë. "Dhe të jesh në gjendje pastaj të ndjekësh edhe këtë nuk është e lehtë", theksoi Beja. Kryesia e PD-së ka ngritur një grup pune që do të përshtatë statutin e kësaj force me Kodin e ri Zgjedhor. Ndryshimet do të miratohen në Kongresin e dhjetorit, bashkë me strukturat e reja drejtuese të partisë. "Nga momenti që kemi ndryshuar kodin për zgjedhjet në nivel qarku, atëherë kjo duhet të përshtatet dhe te partia. Kështu që, ne do të kemi njëkohësisht parti të strukturuar në mënyrë të tillë që të jetë e aftë të konkurrojë, të bëjë fushatë e të fitojë. Kjo është e detyrueshme të shprehet në statut, sepse statuti ngelet i tejkaluar tashmë", nënvizoi Beja. Debati për ndarjen e posteve ministrore nga ato politike në Partinë Demokratike është i hershëm. Disa nga drejtuesit e selisë blu mendojnë se partia që ka mazhorancën qeverisëse nuk mund të ketë drejtues të ndryshëm nga ato që drejtojnë edhe pushtetin për të shmangur strukturat paralele. Partia Demokratike hyn kështu në një debat të ri për ndarjen e posteve partiake nga ato qeveritare. Ministrat që gëzojnë një post në strukturën e sekretariatit të Partisë Demokratike duket se do të lëshojnë karrigen brenda partisë për t‘u zëvendësuar. Grupi parlamentar i PD-së përbëhet nga 68 deputetë, ku vetëm 11 prej tyre janë emëruar ministra në kabinetin "Berisha". Për të forcuar strukturën e partisë, për të analizuar gabimet e demokratëve në 28 qershor, por edhe për të kënaqur pjesën e mbetur të deputetëve të cilët nuk përfituan nga torta e pushtetit, më 12 dhjetor, Partia Demokratike do të vendosë piketat përfundimtare. Votimi për kreun e Partisë Demokratike do të jetë i fshehtë dhe mandati i tij do të jetë katërvjeçar ashtu siç është parashikuar në nenin 8 të statusit të kësaj partie. Kryesia e Partisë Demokratike në plotësim të detyrimeve statutore vendosi ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë nën drejtimin e nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi, si dhe të Komisionit për Rishikimin e Statutit të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode. Kuvendi kombëtar do të vendosë për programin e partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDSH-së në nivel qendror e lokal, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj.