Ngjela bën thirrje: Edhe një votë është kërkesë historike sot
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, në një mesazh të postuar në rrjetin social Facebook, bën thirrje për të votuar, duke theksuar se sot çdo votë është një kërkesë historike.
Votimi i 23 qershorit është një shans historik për të arritur një fitore, e cila do të na ndajë nga shterpësia, injoranca, ligësia dhe abuzivizmi që na ka drejtuar në tetë vjet.
Kush nuk e kupton se edhe një votë është kërkesë historike, duhet të kujtohet se të gjitha tragjeditë e popujve iu kanë ardhur nga paaftësia.
Ndërmjet rrënimit dhe rënies së një populli nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Megjithatë, në momente të caktuara historike rrënimi është thjesht rënie.
Kjo është gjendja jonë sot, kur gjithçka ka mbërritur në ndjesinë individuale se të gjithë mund të jemi të humbur.
Në situata të tilla, ai që merr përsipër të shpëtojë shoqërinë e tij nga një rënie e tillë duhet të sakrifikojë, sepse me anë të kësaj sakrifice ka shpëtuar edhe veten.
Kjo duhet të jetë deviza e shqiptarëve në këtë kohë rrënuese: gjithkush duhet të bëjë çmos që të ndalojë rënien tonë, shkruan Ngjela./ep