E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA/ Drejtori i FES: Shumica e shqiptarëve janë për rotacion pushteti

frank hantkeNë intervistë me DW, Frank Hantke, drejtor i Fondacionit Friedrich Ebert në Tiranë, thotë se rotacioni është pozitiv për të mos lejuar ngurtësimin e sistemit të klientelizmit. Klasa politike duhet të dialogojë për objektivat madhorë të vendit.

Intervistoi: Eliana Xhani, DW

Si e vlerësoni këtë fushatë elektorale për zgjedhjet parlamentare duke patur parasysh standardet demokratike dhe evropiane që klasa politike në Shqipëri është zotuar të respektojë?

Fushata elektorale është mjaft zhgënjyese, sa i takon pjekurisë demokratike. Kemi thuajse 70 parti që kandidojnë, dhe 62 prej tyre janë të lidhura me një nga dy blloqet, kështu që kemi një fushatë elektorale dy partish, ose blloqesh, mes të cilave ndryshimet nuk janë edhe aq ideologjike, se sa në luftën për pushtetin dhe privilegjet e lidhura me të. Nga ajo që kemi vëzhguar deri tani, mund të themi që fushata nuk është përqendruar edhe aq në temat elektorale se sa tek fajësimet reciproke, si akuzat për korrupsion, nga të cilat thuajse çdo ditë dëgjojmë të reja. Shumë prej tyre mund të jenë të ekzagjeruara, por një pjesë janë të mbështetura nga prova, qofshin këto akuza për sulme ndaj zyrave, apo ndaj kandidatëve. Kemi prova që nëpunësit e administratës shtetërore detyrohen me mjete shumë të padenja të pozicionohen në anën e partisë qeverisëse. Drejtorë shkollash detyrohen të dërgojnë mësuesit në mitingje të partisë qeverisëse, etj. Pra trysnia e partive në qeveri ndaj të punësuarve në sektorin publik është shumë e madhe.

Ku duhet kërkuar shkaku për këtë? Tek partitë apo edhe tek zgjedhësit, të cilët kanë prirje të përkrahin partitë që përdorin një “gjuhë të fortë”?

Kjo ka të bëjë edhe me historinë e demokracisë shqiptare, e cila është shumë e re dhe e papjekur. Kjo nuk është akuzë, por konstatim. Ne e dimë nga përvoja e vendeve të tjera se sa shumë kohë duhet që gjërat të ndryshojnë edhe në mendjen e njerëzve. Nga ana tjetër me ndryshimin e sistemeve në Shqipëri nuk ka pasur ndryshim të vërtetë të elitave politike. Shumë nga politikanët e elitës së vjetër i rigjejmë sot në parti të ndryshme. Nuk mund të thuash se gjithë ish-komunistët janë grumbulluar në një parti të vetme. Përkundrazi kemi një shpërndarje të elitës së vjetër në thuajse të gjitha partitë. Sigurisht Shqipëria nuk është ndryshe nga vende të tjera në tranzicion, por këtu kjo është shumë e dukshme.

Kemi edhe një tjetër aspekt: vendet në administratën publike, rreth 70 ose 80 mijë vende pune, shpërndahen sipas përkatësisë partiake. Kështu ka qenë në qeverinë socialiste dhe kështu ishte edhe administratën Berisha. Për pasojë ndodh shpesh që njerëz, të cilët kanë fituar kompetencë profesionale, të zëvendësohen nga të tjerë të paaftë, që janë thjesht përkrahës të një partie. Kjo bëhet pengesë që vendi në përgjithësi të bëhet më kompetent në administratën publike.

A mendoni se kjo do të ndryshojë pas miratimit të ligjit për administratën publike nga Parlamenti i Shqipërisë?

Nëse duam të jemi të ndershëm duhet të pranojnë se shumë nga ligjet që ekzistojnë në letër, janë konform kërkesave të BE-së. Por ligjet nuk zbatohen. Ky është një sekret i ditur nga të gjithë, pra që mes letrës dhe realitetit ekziston një hendek i madh. Pra, krijohet përshtypja e afrimit në përgjithësi të legjislacionit me kërkesat e BE-së, por kur sheh realitetin politik këtu, konstaton se zbatimi i ligjeve dhe kontrolli i respektimit të ligjeve nuk funksionon aspak. Të gjitha organet e kontrollit janë në duar të qeverisë përkatëse, dhe kështu nuk mund të kryejnë më rol kontrollues pasi nuk janë më të pavarur. Lidhur me miratimin e ligjit për administratën publike ekziston shpresa që me ndryshimin e qeverisë pas zgjedhjeve të bëhet diçka. Nëse shohim zbatimin e ligjeve gjatë tetë viteve të administratës Berisha, duhet thënë se për fat të keq ka shumë pak shpresa që diçka thelbësore të ndryshonte gjatë një mandatit të tretë të tij. Se si do të jetë kjo në rast fitoreje të opozitës, mbetet të shihet, por ka një farë shprese, e cila natyrisht është e shoqëruar me dyshime. Dyshime, pasi edhe në kohën e qeverisjes nga socialistët, ka pasur tendencë të akumulimit të pushtetit nga qeveria.

Sipas jush një rotacion do të ishte atëherë në dobi të shqiptarëve?

Mendoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve janë për një rotacion, ndryshim pushteti. Pasi ky sistem, sipas të cilit fituesi merr gjithçka, po ngurtësohet gjithnjë e më shumë, po depërton thellë e më thellë, deri në fshatin më të vogël.

Partitë/koalicionet në garë kanë bërë premtime bujare për hapjen e qindra mijëra vendeve të reja të punës, pa sqaruar megjithatë në mënyrë të plotë se si do të financohen këto masa punësimi. Kemi të bëjmë këtu thjesht me premtime elektorale, të cilat nuk ka gjasa të zbatohen pasi janë larg realitetit ekonomik të Shqipërisë?

Kur politikanët japin shifra konkrete për vende të reja pune, unë jam gjithnjë skeptik. Vendet e punës krijohen në radhë të parë nga ekonomia, me përjashtim të atyre në sektorin publik. Këto të fundit po shpërndahen fare qartë nga partitë, si p.sh. në rastin e LSI-së, e cila premton 20 përqind të vendeve të administratës për përkrahësit e saj. Ndryshe më duhet të them se premtimet për vende pune me shifra konkrete janë shumë të dyshimta, jo vetëm në Shqipëri. Në të vërtetë kemi të bëjmë me një garë se kush premton më shumë vende pune për katër vitet e ardhshme, dhe nuk shpjegohet qartë se çfarë mjetesh do të përdoren, ku dhe në çfarë afatesh kohore, për krijimin e vendeve të reja të punës. Ka sigurisht përfytyrime se ku mund të krijoheshin vende të reja pune, por për të përmendur shifra konkrete, siç bëhet nga partitë në garë, e madje me shifra kaq të larta, nevojitet një sistem kualifikimi i i njerëzve që do të punësohen në sektorët e përmendur, investime si ato në infrastrukturë etj. Të gjitha këto, edhe kur ekzistojnë në programet e partive, janë të shpjeguara në mënyrë shumë të mjegullt. Për këtë arsye këto premtime nuk janë realiste.

Në këto kushte, kur premtimet e partive tingëllojnë jorealiste, shqiptarët ka më shumë mundësi të votojnë për programet apo për partitë?

Në thelb shqiptarët nuk kanë një alternativë të vërtetë. Ata kanë dy blloqet që kandidojnë dhe që janë të armiqësuar deri në dhëmbë. Nuk ka parti të tjera, të cilat të ofrojnë alternativë thelbësore apo serioze. Kjo është njëra ana. Nga ana tjetër, fola dhe më parë për trysninë shumë të madhe që prej javësh, muajsh

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›