E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjyra nga Kroacia, në Durrës



"Ngjyra nga Kroacia" titullohet ekspozita e fotografi kroat Ivo Pervan, e cila është çelur në Durrës në Pallatin e Kulturës “A. Moisiu” e mbështetur nga bashkia e qytetit. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ku merrte pjesë vetë fotografi Pervan, ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Vangjush Dako, sekretarja për kulturën dhe ekonominë e ambasadës kroate, Jasmina Dalushiç, personalitete të artit durrsak etj. Ekspozita përfshin 40 foto të fotografit kroat, të cilat janë të realizuara në periudha të ndryshme. Ivo Pervan është një figurë qendrore dhe shumë e njohur e fotografisë në lëmin e turizmit dhe ka kontribuar në mënyrë vitale për promocionin e imazhit të Kroacisë në botë. Pervani e ka nisur rrugën e fotografit që nga mosha 16-vjeçare dhe ka qenë pasioni i tij gjatë gjithë jetës që e ka bërë të njohur kudo në Evropë. Deti dhe bregdeti, natyra kroate dhe ajo e Mesdheut kanë qenë kryesisht frymëzimet për fotot e tij që kanë si objekt kryesisht peizazhet natyrore. Pervani është lindur në vitin 1947 në fshatin Zadvarje pranë Splitit. Puna e tij përbëhet nga 100 000 foto, 17 fotomonografi dhe rreth 70 ekspozita në Kroaci dhe nëpër botë. Pervani është bërë fotograf profesionist në vitin 1980 dhe që nga viti 1995 e deri tani rreth 3000 foto të tij janë ilustruese të kartolinave kroate. Ai ka fituar dhjetëra çmime kombëtare dhe ndërkombëtare përfshi këtu edhe 20 çmime të para në Kili, Turqi, Egjipt, Barcelonë, Kopenhagën, Pragë, Lisbonë, në ekspozitën më të madhe botërore të fotografisë që është Design Zentrum Essen etj. Pervan është anëtar i Federatës Botërore të Gazetarëve si dhe anëtar i Organizatës Mesdhetare të Gazetarëve të Turizmit. Fotot e Ivo Pervanit shprehin dëshirën, që nëpërmjet fotove të ruajmë historinë e popullit kroat. Kjo ka një rëndësi vitale në një kohë kur pakujdesia humane, mungesa e fondeve dhe ikja e gjeneratave mund të çojë në shkatërrimin e kulturave dhe pasurive natyrore. Për fotografin kroat, Ivo Pervan, natyra ishte në qendër të vëmendjes, njerëzit e monumentet e kulturës gjithashtu. E kështu ndodh akoma. Vendi i tij, Kroacia, i ofronte gjithçka të bukur e magjike për ta ruajtur pas shkrepjeve të tij. Por mesazhi i tij vjen edhe për artin e fotografisë në Shqipëri ku Pervani shprehet se pikërisht natyra e mrekullueshme shqiptare duhet të jetë në qendër të fotografisë së vendit tonë sepse pikërisht natyra është ajo që mban gjallë shpirtin e njeriut. Me fotografitë e tij, Ivo Pervan e ka bërë të famshme Kroacinë në të gjithë botën. Gjithnjë ka fotografuar vendet më të bukura të vendit të tij. Natyra është pjesë e krijimtarisë së tij, e cila vjen me të gjitha larmitë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›