E ardhmja e portit të Shëngjinit
Nga Dorian Mersini*
Porti i Shëngjinit ndodhet në zonën veriperëndimore të Shqipërisë. Ky port së bashku me portet e Durrësit, Vlorës dhe të Sarandës bën pjesë në katër portet e hapura për transportin ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve, që kryhet nëpërmjet rrugëve detare të Republikës së Shqipërisë.
Kohët e fundit ky port po merr një rëndësi të veçantë si rrjedhojë e finalizimit të rrugës Durrës – Kukës – Morinë, e cila paraqitet si garanci zhvillimi për portin e Shëngjinit, pasi do të bënte të mundur shtrirjen e shërbimeve të transportit multimodal (rrugor-detar) nëpërmjet këtij porti, në drejtim të tregut të Kosovës dhe anasjelltas, në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.
Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga ana e qeverisë shqiptare, u premtua se porti i Shëngjinit, që paraqitet si alternativë e portit të Durrësit për nga afërsia gjeografike, do të funksionojë si porta që do të lidhë Kosovën me vendet e BE-së për transportin e mallrave dhe pasagjerëve, duke e cilësuar si port të lirë për t’i shërbyer këtij qëllimi.
Situata aktuale dhe investimet
Porti i Shëngjinit ka një gjatësi të kufizuar kalatash dhe përpunon anije mallrash me kapacitet maksimal deri në 5000 tonë. Vitin që shkoi, në këtë port janë përpunuar rreth 320 mijë tonë mallra të ndryshme, shifër kjo që pritet të rritet me përfundimin e investimeve, të cilat janë në plan të realizohen gjatë periudhës 2009-10, për ristrukturimin e infrastrukturës së portit. Aktualisht, në këtë port, nuk përpunohen tragete pasagjerësh, edhe pse porti ofron të gjitha mundësitë dhe shërbimet për të qenë atraktiv në këtë drejtim. Zhvillimi i këtij porti po bëhet në bazë të një masterplani, të financuar nga Komisioni Evropian dhe buxheti i shtetit, me një vlerë prej rreth 3.500.000 eurosh, nga të cilat 3.100.000 është fondi i BE-së në bazë të programin IPA dhe 400.000 mbulohen nga buxheti i shtetit. Këto fonde pritet të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e infrastrukturës dhe të shërbimeve portuale. Gjithashtu, në zbatim të masterplanit të këtij porti, qeveria shqiptare në buxhetin e vitit 2008 kishte parashikuar një fond prej 20 milionë lekësh për thellimin e portit, projekt ky i fundit i cili ka përfunduar duke e rritur thellësinë e basenit të portit rreth kalatave gjer në 7 m, duke krijuar në këtë mënyrë mundësinë e përpunimit të anijeve me tonazh gjithnjë e më të madh.
Projektet e ardhshme
Qeveria shqiptare ka vendosur shpalljen e Lezhës si zonë ekonomike të lirë, duke i dhënë statusin "Park industrial" për një sipërfaqe prej 3.2 ha në afërsi të portit të Shëngjinit. Në këtë zonë ekonomike do të zhvillohen veprimtari prodhuese, tregtare, industriale, agro-përpunimi, eksport-importi dhe aktivitete ndihmëse, që pa dyshim do të shërbejnë gjithashtu edhe për sipërmarrës nga Kosova. Kohëzgjatja e funksionimit të zonës për këtë qëllim është parashikuar për një periudhë 35-vjeçare dhe sipërfaqja e tokës do të ofrohet në formën e përdorimit me koncesion.
Kjo politikë investimesh e ndjekur nga qeveria shqiptare për portin e Shëngjinit dhe të zonës përreth, pa dyshim krijon perspektiva të sigurta zhvillimi për të gjithë veriun e Shqipërisë, duke kontribuar në fuqizimin ekonomik të saj paralelisht me zonat e tjera të vendit ku investimet po vijojnë me ritme të shpejta.
*Përgjegjës i sektorit të Sigurisë Detare në MPPTT