E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjyrat e Gretës

Që e vogël ishte e lidhur me filmin. Gjatë udhëtimit ka trokitur në shumë dyer duke ndjekur këtë pasion. Kjo është aktorja Greta Zenelaj, e cila rrëfen për Express për fillimin dhe hapat e suksesshëm në Hollywood. Nga Mehdi Abdullahu më 17 shtator 2011 në ora 12:34

Express: Kush është Greta Zenelaj?
Greta: Jam lindur në Tiranë dhe rritur në Shkodër derisa isha 18 vjeç. Pastaj kam vazhduar studimet në Tiranë për gazetari. Që kur kam qenë e vogël, kam qenë e dhënë për të lexuar, recituar, shkruaja poema të shkurtra dhe këndoja. Filmat më pëlqenin shumë.. E mbaj mend si sot atë ndërtesë shumë të vjetër, por shumë karakteristike. Shkodra është njohur si qytet i kulturës dhe jam krenare që jam rritur aty. Mbasi mbarova shkollën për gazetari, punova për ca kohe si gazetare dhe korrespondente për shtypin e jashtëm. Mua m’u dha mundësia të shkoja shkurtimisht në Itali, Francë dhe Angli. Mbas këtyre udhëtimeve kisha shumë dëshirë të shkoja në Amerikë. Kur mbërrita atje, m’u duk krejt ndryshe nga çfarë mendoja, por pak nga pak mësohesh dhe i shikon gjerat me një sy tjetër. Mundësitë që të jep ky vend janë të shumta. Megjithatë, unë jam krenare që jam shqiptare dhe mund t’i shikoj gjerat me një sy jo gjykues nga përvojat që kam pasur dhe di t’i admiroj të dy vendet që më kanë dhënë mundësinë të jem unë.

Express: Keni studiuar për gazetari, ndërkohe që i jeni futur kinematografisë, ka qenë ky ndryshim i natyrshëm për juve?
Greta: Besoj se po. Mendoj se të dy këto profesione mund të marrin dhe japin diçka nga njeri-tjetri. Kur je gazetare, shkruan të tregosh një ngjarje, ndërsa në film tregon një histori nëpërmjet pamjeve që rikrijon për te treguar atë që dëshiron.

Express: Prej vitesh jetoni në Amerikë, e keni pasur të vështirë të adaptoheni aty dhe te depërtoni në biznesin e kinematografisë?
Greta: Jam në Amerike që 11 vite. Në fillim e kam pasur shumë të vështirë të ambientohem me jetën këtu. Si fillim kam jetuar në Detroit, ku jeta është goxha ndryshe me Los Angeles.. Më mungonte shoqëria. Por, e mira ishte që kisha familjen time këtu. Pas disa vitesh dhe disa lloj punësh të ndryshme, unë dhe motra ime vendosëm të shkonim në Los Angeles për një vizitë 5 diteshe. Na pëlqeu shumë dhe nga kjo vendosëm të shpërnguleshim në Hollywood në janar të 2003. Nuk jemi bërë pishman. Fillimi është gjithmonë i vështirë, por nëse ke një dëshirë, një pasion dhe nuk heq dorë, mundësitë edhe të jepen.

Express: Së bashku me motrën tuaj, Vilmën, keni themeluar dhe një kompani për prodhimin e filmave. Sa ka qenë sfiduese kjo për ju?
Greta: Para tre vitesh unë dhe motra ime krijuam kompaninë tonë filmike Colored Films, që gjerë tani na ka ecur goxha mbarë. Brenda 3 vitesh kemi bëre dy filma dhe jemi në hapat e parë të filmit tonë të tretë. Njëkohësisht filmat që kemi bërë janë pritur mjaft mirë nga publiku amerikan dhe kanadez. Këtë verë patëm mundësinë të shfaqim një nga filmat tanë në “Durrës Film Festival” dhe publiku shqiptar e ka mirëpritur pa masë. Njëkohësisht të dy filmat tanë do të shfaqen këtë vit tek teatri Imperial në Tiranë. Kjo për ne është një shije e mirë e suksesit që vjen nëpërmjet kompanisë tonë, dhe vendimit tonë që artin ta konsiderojmë dhe si biznes. Shpresojmë që do të kemi mundësi më të mëdha në të ardhmen.

Express: Cilat janë projektet që keni realizuar deri më tani dhe çfarë keni në plan për të ardhmen?
Greta: Gjerë tani kemi realizuar dy filma me metrazh të gjatë: "Çfarë do të bëj unë tani" www.whatdoidonowmovie.com. Ky film ka fituar çmimin si komedia më e mirë në New York Film Festival 2009. "Në pyll"www.inthewoodmovie.com. Ky film ka marrë pjesë në 9 festivale gjerë tani dhe ka fituar tre çmime. Njeri prej tyre ka qenë si Aktorja më e mirë. Dhe kjo ishte një surprizë shumë e këndshme për mua si aktore. Po ashtu, për momentin jemi duke punuar për filmin tonë të tretë që quhet "Shqipe". Ky film është me tematikë shqiptare. Jemi shumë të kënaqura që kemi këtë mundësi për të treguar një histori shqiptare. Mund të gjeni më tepër informacion tek www.shqipethemovie.com.

Express: Jeni futur në një fushë, ku konkurrenca pothuajse është kulmore, si po ia dilni në fushën e filmit?
Greta: Kjo është një fushë që do shumë punë dhe këmbëngulje. Mendoj se çdo njeri është unik. Pavarësisht që mund të jenë shumë filma që janë bërë për dashurinë apo për atdheun apo për çfarëdo lloj teme tjetër, e vërteta është që çdo njeri i përjeton gjerat ndryshe dhe kur ti bën një film, si shkrimtar apo aktor apo regjisor, do t’i vësh zërin tënd, syrin tënd, emocionet tua. Dhe ne pavarësisht që jemi të ngjashëm, përsëri i shohim dhe i shprehim gjerat ndryshe. Suksesi vjen me punë të pandërprerë.

Express: A ju është ofruar ndonjë projekt filmik, në të cilin flitet për shqiptaret?
Greta: Jo, gjerë tani nuk kam pas ndonjë ofertë të tillë, por shpresoj në të ardhmen të më jepen më tepër mundësi. Mendoj dhe me punën time, me kompaninë time filmike Colored Films, njerëzit të shohin më tepër histori shqiptare Sepse ne jemi një komb i pasur me plot histori të bukura dhe interesante, por që njerëzit nuk kanë dëgjuar shumë për ne.

Express: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj më të njohur?
Greta: Unë kam punuar vazhdimisht me njerëz që i njoh. Për të dy filmat na ka ndihmuar si producent Steven Gorel, po ashtu Chris Neil, JP Madison. Është gjithmonë mirë të bashkëpunosh me njerëz që i njeh dhe ke besim. Kur fillojnë xhirimet është si një familje e madhe që bashkohen një here në vit për pushime. Njëkohësisht unë shpresoj të kem mundësi të njoh njerëz të rinj në këtë biznes, prej të cilëve mund të mësoj gjëra të reja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›