E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjyrime në Apoloni

06/09/2011  Në kuadër të “Sofrës ilire” dhe “Archeo’s”, ekspozitë pikture. Ndahen edhe çmimet teatrore të “Apolon”

“Kur e përfundon aktin e pikturimit, e zhvesh lakuriq subkoshiencën para syve të mendjes. Këtë e ka bërë jo vetëm me figura, por edhe me titujt e veprave të saj si: “Udhëtim apo rrugëtim në hapësirë”, “Bota e çudirave në mua” dhe “Duke kërkuar lakuriqësinë”. Këto janë fjalët që thuhen për artisten Merita Jaha. Piktorja çeli ekspozitën e saj në qytetin antik të Apolonisë në kuadër të aktiviteteve: “Sofra ilire ‘11” dhe “Archeo’s”. Po në ambientet e parkut arkeologjik “Apolonia”, gjatë mbrëmjes u organizua ceremonia e ndarjes së çmimeve të Festivalit të Aktrimit “Apolon”.

Nëse do të krahasojmë veprën me titujt dhe nëse do të jemi të mirinformuar rreth mjedisit artistik dhe historik ku bën pjesë, sot për sot Merita Jaha, e kuptojmë mjaft thjeshtë se (ajo) ende po rrugëton për të gjetur dhe përcaktuar individualitetin artistik. Pikërisht, gjesti i saj është konvertimi imagjinativ i panoramës vetjake të artistes, të cilin po e kërkon ta formojë në ece-jaket e rrugëtimeve të shumta, të bëra dhe të pabëra ende.

Interpretimi formal mbi veprën e Merita Jaha-s mbetet tek vlerësimi që i jepet pikturës si i vetmi formacion artistik që po e ndihmon individualitetin e saj të formohet, për të qenë në të nesërmen një perceptim artistik në mjedisin e madh të arteve pamore shqiptare. Përpjekjet e saj janë iniciativa të mirëorientuara, që kërkojnë mundim, punë të palodhshme dhe kërkim këmbëngulës drejt stabilitetit individual dhe koherencës artistike.

Kjo ekspozitë vjen në vijim të ekspozitave personale që piktorja nga Prishtina ka hapur gjatë këtij viti në Muzeun Historik Kombëtar dhe Galerinë e Arteve, Pogradec. Ekspozita, me rreth 40 punime të realizuara nga piktorja në vitet e fundit, realizohet në shëtitoren e Apolonisë, aty kur dikur ishin ekspozuar statujat antike të këtij qyteti.

“Zbulimi” i Merita Jahas

Suzana Varvarica Kuka

Jetojmë në një mjedis marrëdhëniesh njerëzore, që ndryshojnë herë pas here dhe, natyrisht, ky ndryshim vjen si rrjedhojë e domosdoshmërisë së zhvillimit dhe e çuarjes përpara të jetës në shoqërinë e ditëve të sotme. Brezat njerëzorë janë të vetëdijshëm për mbivendosjen te njëri-tjetri dhe për ecurinë e këtyre marrëdhënieve. Ata tentojnë në mënyrat e veta specifike të perceptimit të gjenden sa më të pranishëm në debatin apo bashkëbisedimin që karakterizohet nga atmosfera e njohjes me të renë dhe nga themeli i së shkuarës, që është i ndërtuar prej muranës së qëndrueshme morale dhe kulturore.

Të gjitha mendimet, që lëvizin të lira dhe me të drejtën e fuqisë impresionuese të shkencave filozofike, e kanë shpallur artistin, dikur dhe sot, të quajtur piktor dhe skulptor, individ të rëndësishëm në marrëdhëniet e përbëra e të thjeshta njerëzore. Madje, ai/artisti është njeriu jo indiferent, që e kërkon të jetë edhe Merita Jaha. Një vështrim mbi krijimtarinë e saj të deritanishme dhe me një përqasje me mendimet e saj të shkruara, kupton se kërkon të jetë prezente në të gjitha ciklet e jetës së një njeriu-artist, që ka vendosur t`i konsumojë kapacitetet frytdhënëse si një intelektuale në fushat e arteve pamore. Dhe teorikisht, me vullnet të plotë, i krahason veprimet e veta figurative me përvojën e jetuar, por edhe të ëndrrave.

Kam mendimin se çdo artist i arteve pamore, por edhe çdo individ tjetër në format e veta të shfaqjes, e zbulon nënkoshiencën para syve të mendjes, sapo e ndal procesin e krijimit dhe e vështron tërësisht imazhin e lindur. Gjithashtu kam mendimin se e zbulon veten para të tjerëve, kur imazhin e lindur e ekspozon në mjedise publike. Zbulimi që i ka bërë vetes Merita Jaha më bën të arrij në një konkluzion paraprak dhe të dëshiruar se ajo, artistja e re më së pari, e dëshiron zbulimin e saj në publik, për të treguar mbi aftësinë, cilësinë dhe tipin e krijimtarisë së vet. Së dyti, për të marrë prej mendimit të specializuar vlerësimin dhe kritikën, të cilët janë faktorë që do t`i përcaktojnë vendin ku krijimtaria e saj bën dhe do të bëj pjesë. Së treti, për t`i treguar pjesës tjetër të shoqërisë, pra publikut artdashës, vullnetin e saj në krijimin e imazheve, të cilat burimin ideor e kanë te veprimtaritë e jetës së përditshme të individit dhe burimin figurativ te natyra ndjesore e emocionit. Të dy burimet e nxisin për të rikrijuar natyrën e sendeve dhe të ideve përmes bashkëpunimit të vetëdijshëm të përvojës së njohur botërore dhe përvojës së re vetjake artistike, e cila po krijohet gjatë procesit të rritjes së artistes.

Merita Jaha i ka kaluar disa procese të aftësimit artistik përmes edukimit akademik. Ndërsa sot Merita Jaha sapo ka hyrë në rrugën e vështirë dhe konkurruese të formimit të dinjitetit individual përmes kreativitetit artistik. Në qartësinë e imazheve të saj, deri më tani, dallon se dominon piktura, e cila jeton në ujërat e dy tipeve figurativ: abstraktes dhe imazhit të njeriut dhe sendit. Ky është një fenomen tashmë i njohur i shkollës së Prishtinës, ku secili tip figurativ në kohë të ndryshme ka dominuar mbi njëri – tjetrin. Por, e rëndësishme është që kjo shkollë në praktikën e vet i ka dhënë shanse artistes së re të formohet përmes tyre dhe të mbartë rrugën e saj.

Duke përmendur edhe një herë se artistja vetëm kur e përfundon aktin e pikturimit e zhvesh lakuriq subkoshiencën para syve të mendjes (dhe jo vetëm para syve të mendjes së saj, por edhe të të tjerëve), dua të theksoj se këtë e ka bërë jo vetëm me figura, por edhe me titujt e veprave të saj si: “Udhëtim apo rrugëtim në hapësirë”, “Bota e çudirave në mua” dhe “Duke kërkuar lakuriqësinë”. Nëse do të krahasojmë veprën me titujt dhe nëse do të jemi të mirinformuar me mjedisin artistik dhe historik ku bën pjesë, sot për sot Merita Jaha, e kuptojmë mjaft thjeshtë se (ajo) ende po rrugëton për të gjetur dhe përcaktuar individualitetin e saj artistik.

Vendosja në qendër e një sendi, e një portreti, e një nudo, e një trajte apo njolle koloristike, i një linje, i një hapësire në lartësi apo thellësi është një gjest. Gjesti i saj është, pikërisht, konvertimi imagjinativ i panoramës vetjake të artistes, të cilin po e kërkon ta formojë në ece-jaket e rrugëtimeve të shumta, të bëra dhe të pabëra ende.

Interpretimi formal mbi veprën e Merita Jaha-s mbetet ende tek vlerësimi që i jepet pikturës si i vetmi formacion artistik, që po e ndihmon individualitetin e saj të formohet dhe, për të qenë në të nesërmen një perceptim artistik në mjedisin e madh të arteve pamore shqiptare. Përpjekjet e saj janë iniciativa të mirëorientuara, që kërkojnë mundim, punë të palodhshme dhe kërkim këmbëngulës drejt stabilitetit individual dhe koherencës artistike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›