E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, projekte italiane për bujqësinë, teknologjinë dhe turizmin

06/09/2011  Vijojnë investimet në këtë qark, ndërhyrje të efektshme në sektorët kyç të ekonomisë

Projekt 3-vjeçar Itali- Shqipëri me një shtrirje të gjerë nga veriu në jug që do të implementohet në periudhën 2011-2013 në zonën e Beratit e të Shkodrës i financuar nga fondacioni CARIPLO dhe i mbështetur nga Cooperazione Italiana.

Ky projekt do të realizohet nga një grup OJF italiane e shqiptare dhe konkretisht CELIM që luan edhe rolin e shoqatës lider, LVIA,OXFAM Italia, Psicologi per i Popoli nel Mondo, Universiteti Politeknik i Milanos, Universiteti Ca Foscari i Venecias, ACLI Lombardia, ARCI Milano, CeSPI, CGM, Bashkia Forli, IPSIA, ISCOS Lombardia, FPGSH, Qendra e Gruas Kristal Berat, Këshilli Rinor Berat, Qendra LIRA dhe Q.SH.M Berat. Një mbështetje do t’i jepet këtij projekti nga bashkitë Berat e Shkodër, zona ku ky projekt do të implementohet.

Projekti

Objektivat e këtij projekti janë komplekse, shumëdimensionale, shumë sektoriale, bashkëpjesëmarrëse. Shumë sektoriale pasi individualizon dhe përqendron sektorët kyç për ristrukturim ekonomik siç janë teknologjitë e përparuara, bujqësia, turizmi përmes një formimi profesional dhe mbështetjes së sipërmarrjes private, ashtu edhe shërbimet sociale, duke përmirësuar dimensionet sociale shqiptare, përmes mbështetjes së politikave sociale lokale apo edhe të sipërmarrjeve private që japin shërbime sociale. Shumë dimensionale pasi synon krijimin e një rrjeti të fortë me përfshirjen aktive të shumë aktorëve të interesuar e të specializuar në nivele të ndryshme: OJF italiane historikisht prezent e aktive në Shqipëri dhe me kompetenca specifike, shoqata shqiptare prezente në Itali dhe në Shqipëri, Institucione Publike shqiptare e italiane dhe universitete. Bashkëpjesëmarrëse pasi vendos në qendër të strategjisë së ndërhyrjes rolin aktiv të përfituesve, në një logjikë që vendos lidhje të drejtpërdrejtë midis popullsisë përfituese me institucionet publike. Objektivi i përgjithshëm që projekti kërkon të arrijë është të favorizojë zhvillimin social– ekonomik lokal duke u përqendruar tek pikat e forta dhe tek potencialet lokale dhe duke promovuar forcimin dhe rakordimin mes institucioneve publike lokale, sipërmarrjes private dhe aktorëve të diasporës shqiptare në Itali.

Projekti synon katër sektorë aktivitetesh: Shërbime sociale, Teknologji, Bujqësi, Turizëm.

Në fushën e shërbimeve sociale është programuar zhvillim aktivitetesh duke u bazuar në nevojat e familjeve, në eksperiencën e institucioneve ekzistuese, në promovimin e sipërmarrjeve, binjakëzimeve etj.

Në fushën e teknologjisë do të synohet një zhvillim i teknologjive në hapësirën e elektronikës industriale dhe të energjive të rinovueshme me anë të aktiviteteve të specializuara të formimit, me anë të promovimit të ndërmarrjeve teknike të projektim-instalimit e mirëmbajtjes, si edhe të transferimit të teknologjive mes Italisë e Shqipërisë.

Në fushën e bujqësisë është programuar zhvillimi, mbështetja e sipërmarrjeve përpunuese të disa produkteve si mjalti, frutikultura, bimët aromatike, vera, vaji, por në mënyrë të veçantë vëmendje do t’i kushtohet produkteve të certifikuara në cilësinë e markave të regjistruara, marketingut dhe tregtimit të produkteve.

Turizmi është fusha tjetër ku do të punohet me programe restaurimi në zonën e Beratit e Shkodrës, duke përcaktuar disa paketa eko muzeale, për një turizëm kulturor, promovim i strukturave të vogla pritëse, formim profesional si edhe krijimi i dy pikave informuese (infopoint) në Shqipëri e Itali. Ka një veçori në këtë aktivitet pasi synohet përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në procese të përballueshme për ta sipas modeleve të mbështetjes e integrimit. Si aneks i veçantë në projekt është menduar krijimi i një Regjistri Dypalësh (Itali-Shqipëri) të Kompetencave për të gjithë sektorët e përmendur, puna vijon dhe në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›