Ngrica në zonat malore të Elbasanit, hidhet kripë në disa akse rrugore

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Temperaturat e ulëta kanë përfshirë qarkun e Elbasanit, duke shkaktuar ngrica në zonat malore dhe në disa segmente rrugore.
Prefektura e qarkut Elbasan informoi sot se “në akset nacionale Elbasan–Qafë Thanë dhe Elbasan–Gjinar, për shkak të rënies së temperaturave, është hedhur kripë në pikat problematike, duke mundësuar qarkullimin normal të mjeteve”.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, janë trajtuar me kripë edhe disa pika problematike në qytetin e Elbasanit.
Prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës janë në rënie dhe nuk paraqesin rrezik për popullsinë. Edhe shkarkimet nga HEC Banjë janë ulur, duke arritur në rreth 190 metër kub në sekondë, në përputhje me prodhimin energjetik.
Autoritetet lokale vijojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në akset rrugore, për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
/k.s/j.p/