Ngrihet komisioni hetimor për lejet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës
Kuvendi miratoi sot me shumicë votash projektvendimin "Për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e praktikave dhe procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës". Sipas p/vendimit, të nënshkruar nga rreth 40 deputetë të maxhorancës dhe të paraqitur në Kuvend nga deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri, "komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mosdërgimin e planit të ri Rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit, dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij Plani Rregullues". Komisioni hetimor do të përbëhet nga 9 anëtarë, 5 nga shumica parlamentare dhe 4 nga opozita. Kryetari i tij do të jetë nga grupi politik nismëtar, ndërsa nënkryetari nga opozita. Veprimtaria e këtij komisioni do të përfshijë një periudhë trejavore nga krijimi i tij, një kohë kjo e mjaftueshme për përfundimin e hetimeve dhe hartimin e raportit. Është e dyta herë që për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama kërkohet një hetim parlamentar. Në vitin 2003, kryebashkiaku u hetua nga një komision hetimor, i kryesuar nga Sokol Olldashi, me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike.
...