E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Maxhoranca të sërish kërkon karta falas. Reagon Patozi: Opoziat e justifikon humbjen me një kartë.

Kryetarja e grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj i kërkoi maxhorancës të enjten në Kuvend që të dëgjojë zërin e opozitës, me qëllim që të shpëtohet procesi zgjedhor i 28 qershorit.  Në fillim të punimeve të sotme në parlament, deputetja Leskaj ngriti sërish shqetësimin për gjetjen e zgjidhjes për kartat e identitetit. "Përsëris edhe njëherë shqetësimin e PS-së për kartat, nga të cilat po rrezikohet ushtrimi i së drejtës kushtetuese të votimit. Kjo e drejtë mbetet e rrezikuar për sa kohë masat gjysmake të qeverisë kanë krijuar konfuzion tek të dyja palët, si për përfituesit ashtu dhe për zbatuesit e tyre. Kjo situatë lë shteg për arbitratitet dhe abuzivizëm", tha deputetja e PS-së. Sipas saj "pajisja me karta e shtetasve duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt ndërsa jemi në limitet e fundit kohore. Kreministri Berisha është para kësaj prove si vend anëtar i NATO-s dhe duhet t'u krijojë mundësi shqiptarëve të ushtrojnë të drejtën e votës duke garantuar drejtësi funksionale. Maxhoranca të dëgjojë zërin e opozitës që të  shpëtojë zgjedhjet e lira".
Patozi: Opozita justifikon humbjen e saj me një kartë
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi deklaroi të enjten në Kuvend se "Partia Socialiste nuk po kërkon kartat e identitetit, por kërkon një kartë për të njollosur paraprakisht procesin dhe për të prishur zgjedhjet e 28 qershorit".  Gjatë debatit të lirë në seancë plenare, zoti Patozi u shpreh se "ky parlament po e mbyll mandatin e tij në mënyrën më dinjitoze, si parlamenti i reformave dhe i NATO-s, dhe këtë gjë nuk e cënon aspak qëndrimi qesharak dhe absurd i opozitës". Për sa i përket shqetësimit të ngritur nga opozita për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, zoti Patozi theksoi se "Edi Rama nuk është duke kërkuar kartat e identitetit, por është duke kërkuar një kartë për ta pasur justifikim për humbjen e pritshme në zgjedhjet e 28 qershorit".  Patozi ritheksoi se "Qeveria ka bërë gjithçka që të pajisë me kartat e identitetit, çdo qytetar që dëshiron të votojë". Nga ana tjetër, ai vuri në dukje se "Edi Rama i ka bërë thirrje të gjithë socialistëve që të mos shkojnë për të aplikuar për kartat e identitetit". Megjithatë, kreu i grupit parlamentar të PD-së siguroi se "kjo maxhorancë do t'i arrijë standardet e kërkuara për këto zgjedhje, pavarësisht qëndrimeve jashtë standardit të Edi Ramës. Shqipëria do të votojë kur e përcakton Kushtetuta dhe ligjet e vendit dhe jo atëherë kur t'i dalë frika kryetarit të PS-së, i cili duhet të kuptojë se zgjedhjet nuk fitohen në tavolinë, por fitohen në kutitë e votimit. Politika dhe shkenca ende nuk kanë shpikur ndonjë mënyrë që ta kthejnë politikanin paranojak në një njeri normal", u shpreh zoti Patozi. Sipas tij, "PS e ka të vështirë të dalë në fushatë dhe të ballafaqohet me qytetarët që prekin dhe njohin nga afër ndryshimin". Në Shqipëri, konstatoi Patozi, "po ndodh e kundërtat e një normaliteti demokratik, pasi opozita mungon në fushatë, mungon në parlament dhe në debat politik. Edi Rama ka frikë edhe për komisionin hetimor që do ngrihet sot, por këto nuk duhet të na impresionojnë që të heqim dorë nga zbardhja e të vërtetës për objektin e këtij komisioni. Ajo që po ndodh sot në Bashkinë e Tiranës është etaloni i vizionit të tij për të qeverisur Shqipërinë dhe ne duhet t'ia shpjegojmë këtë shqiptarëve", tha Patozi.
Paloka: Strategjia e PS është qesharake
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi të enjten, në Kuvend, se "strategjia e përdorur nga opozita për çështjen e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti është qesharake dhe synon t'i lërë shqiptarët pa marrë këto dokumenta të rëndësishme". Gjatë debatit të lirë në seancë plenare, deputeti demokrat u shpreh se "Edi Rama kërkon që t'i lërë shqiptarët pa kartat e identitetit vetëm që të ketë një justifikim për humbjen në zgjedhjet parlamentare". Sipas tij "opozita po bëhet qesharake duke paraqitur koncepte komuniste si koncepte progresiste, pasi nuk ka asnjë vend në botë ku mund të pajisesh falas me ndonjë dokument identiteti".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›