Ngrihet padi ndaj aktorit Alec Baldwin dhe producentëve lidhur me incidentin fatal gjatë xhirimeve

Një padi është ngritur kundër aktorit Alec Baldwin dhe producentëve për aksidentin fatal me armë në xhirimet e një filmi në SHBA në të cilin ishte i përfshirë aktori me famë botërore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave amerikane, Baldwin dhe ekipi i prodhimit të filmit janë paditur nga konsulentja e skenarit Mamie Mitchell, pasi aktori shkaktoi vdekjen e kineastes Halyna Hutchins si pasojë e shkrepjes së një arme që i ishte dhënë “gabimisht” në xhirimet e filmit në shtetin New Mexico.
Në mesin e pretendimeve në dosjen e dorëzuar në Gjykatën e Lartë në Los Angeles nga avokatët e Mitchell-it, e cila thuhet se ishte personi i parë që telefonoi linjën 911 pas aksidentit në xhirimet e filmit “Rust”, përfshihen deklarata akuzuese si “sulm , shqetësim emocional i qëllimshëm dhe dëmtim i qëllimshëm”.
“Çdo protokoll sigurie i krijuar për të garantuar përdorimin e sigurt të armëve të zjarrit është shpërfillur dhe masat e marra kanë qenë në kundërshtim me të gjitha normat e industrisë”, shkruan avokatët e Mitchell-it në padi.
Dosja gjithashtu pohon se Baldwin karikoi dhe qëlloi qëllimisht armën e mbushur “pavarësisht nga fakti se skenari për skenën që do të xhirohej nuk përfshinte përdorimin e një arme”.
Aktori Alec Baldwin vrau kineasten 42-vjeçare Halyna Hutchins me armën që përdori gjatë xhirimeve të filmit “Rust” në New Mexico më 21 tetor, kurse regjisori 48-vjeçar Joel Souza u plagos dhe u shtrua në spital.