E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngrihet taskforcë për Samitin e NATO-s në Tiranë

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se sot është ngritur një taskforcë për organizimin e Samitit të NATO-s, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Tiranë.

Në një konferencë për mediet, Nufi në interes të pyetjes së një gazetareje për disa detaje nga organizimi i Samitit të NATO-s në Tiranë, nënvizoi se po vijojnë përgatitjet institucionale dhe koordinimi mes strukturave përkatëse.

“Kemi ngritur një taskforcë për zhvillimin e Samitit të NATO-s. Nuk e kemi ende të përcaktuar vendndodhjen e samitit, por NATO merr masa të jashtëzakonshme sigurie për organizimin e këtyre ngjarjeve. Shqipëria ka treguar sukses në organizimin e samiteve në Tiranë, gjë që na bën krenarë për angazhimin dhe kapacitetet tona”, deklaroi Nufi.

Ai theksoi se Shqipëria mbetet një partner dhe aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një kontribuese aktive në kuadër të Aleancës.

“Shqipëria mbetet aleat i besueshëm i SHBA-së. Shqipëria e dënon regjimin në Teheran që është vrastar për popullin e vet dhe ne kemi përballuar sulme kibernetike të sponsorizuara nga Irani”, u shpreh ministri.

Ai shtoi se vendi ynë ka përputhje të plotë politike dhe strategjike me partnerët amerikanë në çështjet ndërkombëtare dhe mbetet i angazhuar në mënyrë të palëkundur ndaj detyrimeve të Aleancës.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›