Ngrin Festivali i të Drejtave
Organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut, deklaruan dje pezullimin për një kohë të papërcaktuar të edicionit të katërt. Festivali po krijonte një traditë brenda Akademisë "Marubi"
Pas një jave ndodhish të ngjeshura Akademinë e Filmit dhe të Multimedias "Marubi" e ka pllakosur heshtja. Në oborr prehen rrënojat e atyre që disa ditë më parë ishin vepra naive arti. Gjithë oborri i Akademisë është rrethuar me tel dhe është pastruar nga çdo shenjë instalacioni të studentëve. Vetëm pemët nuk kanë mundur t'i heqin.
Dy portat e bardha të hekurit në hyrje të shkollës janë zhdukur. Mbase janë hedhur në ndonjë prej dy pirgjeve të mëdha ku prehen ish instilacionet e oborrit. Është e vështirë të dallosh diçka mes atyre hekurave të shkatërruar.
Në hyrje, dy-tre studentë të ulur në karriget e bardha të metalit ende vazhdojnë të rrinë në shkollën e tyre me shpresë se kjo është një ëndërr e keqe prej së cilës do të zgjohen shpejt. Është edhe roja që nuk e ka lënë vendin e tij të përhershëm në hyrje të Kinostudios.
Këta janë të vetmit dhe të paktët njerëz të cilët ende kanë fuqi dhe bëjnë qëndresë ndaj këtij dhunimi që vazhdon t'i bëhet shkollës së filmit.
Çaku që të tregon që për së largu se po i afrohesh një zone ku realizohen filma është e vemtja gjë që tregon për ekzistencën e "Marubit". Ai është i vetmi që ka shpëtuar, por askush nuk mund ta dijë se dhe sa kohë do të qëndrojë aty.
Përballë shkollës prehet ai që dje ishte ekrani i kinemasë verore, tashmë një grumbull hekurishtesh të hedhura pa kujdes.
Në këtë atmosferë murtaje u zhvillua dy ditë më parë takimi me partnerë të Festivalit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut. Merrnin pjesë Kujtim Çashku drejtor i Festivalit, Alfred Diebold (Friedrich Ebert Stiftung), Remzi Lani (Instituti Shqiptar i Medias), Vasilika Hysi (Komiteti Shqiptar i Helsinkit), Martin Kraemer (Ambasada Austriake) etj.
Për shkak të asaj që ndodhi dhe po ndodh në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi, në takimin e jashtëzakonshëm të partnerëve të festivalit u deklarua që të pezullohet organizimi i edicionit të katërt të IHRFFA-s, i cili ishte menduar të mbahej javën e parë të prillit, deri në një datë të papërcaktuar.
Pas një jave do të ketë një përgjigje më të saktë se ç'do të bëhet tani me festivalin që po krijonte çdo fillim pranvere një traditë të veçantë. Në tre edicionet e mëparshme IHRFFA ka sjellë një kinema të të gjitha gjinive, fiction, dokumentar, eksperimental që trajton gjendje njerëzore sot në botë në raport me pushtetet, me dhunën, me forcat e natyrës dhe forcat shumëngjyrëshe që njeriu përdor kundër të ngjashmëve të vet.
Një festival i tillë nëse bëhet, mund të hapej me një dokumentar për Marubin. Studentët të gjithë bashkë, mund të ishin autorë të tij. Ata janë dëshmitarë të dhunës së përdorur ndaj të drejtës për t'u shkolluar, një nga të drejtat bazë të njeriut.
Ndërkohë ditët e Marubi-Fest kanë parashikuar që programi të vijojë edhe këto dy ditë të fundjavës.
Nëse nuk janë shterrur forcat, në kinemanë e Akademisë aty ku prej tre vjetësh kryhet rituali i "Filmit të së enjtes", duke nisur prej orës 12.00 do të shfaqen "Fani dhe Aleksandri" i Ingmar Bergman; në orën 15.00 "Dark Passage" i Delmer Daves; në orën 18.00 "Night on earth" i Jim Jarmusch, në orën 20.30 "L'Atalante" e Jean Vigoit dhe në 23.00 "Murmur of the heart" i Louis Malle.
E diela ka një program me filma që i flasin aktualitetit. Projeksioni nis sërish në mesditë me të famshmin "Ivani i tmerrshëm" i Sergei Eisenstein, në 17.30 "Xhami me tre fytyra" i Jean Epstein, në 19.30 "Ngjyra e shegës" e Sergei Parajanov dhe në orën 22.30 "Faust" i F.Ë. Murnau.