E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia Bashkiake gjobit makinat e deputetëve

Forcat e Policisë Bashkiake nisën dje aksionin për të bllokuar të gjitha makinat e deputetëve. Ndërhyn Garda


TIRANË- Garda e Republikës shpëton makinat e deputetëve të parkuara mbi trotuarin përballë zyrave të kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, nga gjobat e Policisë Bashkiake. Pas një "debati" mes punonjësve të Gardës, të cilët merren me sigurimin rendit në ambientet e kryesisë dhe në vilën kryeministrore që gjendet përballë saj dhe atyre të policisë bashkiake, këta të fundit kanë lëshuar pe duke i falur edhe kësaj here të zgjedhurit e popullit që prej kohësh e kanë kthyer këtë trotuar në vend-parkimi për makinat e tyre.


Parkimi
Parlamentarët tanë duke përfituar nga imuniteti dhe pozita e tyre e privilegjuar që u siguron statusi i deputetit, shpesh herë janë kthyer në problem për institucionet publike për moszbatim të ligjeve që ata vet i kanë miratuar në Kuvend. Një problem permanent mbetet dhe parkimi në kundërvajtje i makinave prej tyre, duke zënë shpesh jo vetëm rrugët, por edhe trotuaret. Por më problematike bëhet situata në dy rrugët dhe trotuaret pranë zyrave të kryesisë dhe sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku për shkak të fluksit të madh të lëvizjeve shpesh herë këto segmente bëhen të pakalueshme jo vetëm për makinat por edhe për këmbësorët. E përballur thuajse çdo ditë me këtë problem, Bashkisë së Tiranës i ka sosur durimi dhe në respekt të ligjit ka vendosur të ndërhyjë për të zhbllokuar të parin trotuarin dhe rrugën midis kryesisë dhe vilës kryeministrore që gjendet në lagjen e ish- Bllokut.


Aksioni
Për realizimin e këtij misioni forcat e Policisë Bashkiake kanë nisur dje aksionin për të bllokuar të gjitha makinat e deputetëve të parkuara mbi trotuar apo edhe dyshe në këtë rrugë, duke vështirësuar si kalimin e këmbësorëve ashtu edhe të makinave të qytetarëve. Punonjësit e Policisë Bashkiake kanë nisur fillimisht të vendosin bllokuesit gomave të makinave të parkuara në kundërvajtje, por nuk kanë mundur ta kryejnë deri në fund detyrën e tyre (Për heqjen e një bllokuesi të vënë nga Policia Bashkiake, kundërvajtësi duhet të paguajë një gjobë prej 3 mijë lekësh të reja). Kjo pasi menjëherë sapo kanë nisur montimin e bllokuesve nëpër rrota janë pikasur nga Garda e Republikës që bënë roje në dy ndërtesat aty pranë, e cila ka ndërhyrë duke kërkuar mirëkuptimin e Policisë Bashkiake për ti toleruar edhe kësaj here, duke dalë garant njëkohësisht se do të lajmëronte shoferët e deputetëve që të hiqnin menjëherë makinat. Ky duket se kanë qenë një pakt, që për shkak se bëhej fjalë për makina deputetësh, është pranuar nga policët bashkiakë, të cilët kanë çmontuar përsëri bllokuesit e vene. Por ata nuk janë mjaftuar me kaq, pasi janë kthyer përsëri pas dy orësh, por duke gjetur kësaj here vetëm një makinë në kundërvajtje, e cila meqenëse ishte e re nuk u arrit deri në mesditë të evidentohej nga punonjësit e gardës se e kujt deputeti i përkiste.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›