Basha i kërkoi gjykatës të pushoj çështjen ndaj tij, hetimet janë të pavlefshme
TIRANË- Mbrojtja ligjore e të "pandehurve" Lulzim Basha dhe Andi Toma në prani të këtyre të fundit, i kërkuan Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të kryesuar nga gjyqtari Spiro Spiro të pushoi gjykimin e kësaj çështje penale, për shkak të pavlefshmërisë së akteve hetimore e procedurale të kryer nga organ i akuzës. Kjo kërkesë e avokatëve Zef Nikaj dhe Genci Gjokutaj, erdhi me miratimin e të pandehurve Basha e Toma, të cilët në fjalën e tyre pak sekondash i kërkuan togave të zeza të pranojnë kërkesat paraprake të mbrojtësve të tyre ligjor, për pushimin e gjykimit të kësaj çështje penale. Sipas avokatëve, e gjithë fazës hetimore e institucionit të akuzës në hetimin e kësaj dosje është kryer në mënyrë të parregullt dhe duke shkelur në shumë raste ligjin procedural në fuqi. Për këto shkelje, avokatët, kërkuan nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë të shpall të pavlefshëm të gjitha aktet hetimore dhe veprimet procedurale të ndjekura nga ana e prokurorisë pas datës 6 nëntor 2008, kohë kur Gjykata kishte vendosur të mbyll zgjatjen e afateve hetimore. "Kërkojmë nga Gjykata të shpall pavlefshmërinë dhe pa përdorshmërin e të gjitha akteve hetimore e procedurale të prokurorisë të ndjekura pas datës 6 nëntor 2008. Pasi, të gjitha këto veprimet e ndjekura nga prokuroria janë kryer në kundërshtim me ligjin, duke mos respektuar vendimet e Gjykatës së Apelit, vendime këto që kanë marr formën e prerë për shfuqizimin e vendimit për zgjatjen e afateve hetimore e deri te pavlefshmëria absolute e të gjitha akteve hetimore e procedurale të kryera nga prokuroria pas datës 6 nëntor 2008"-tha avokati Zef Nikaj, që përfaqësonte ish-Ministrin e Transporteve deputetin pa imunitet Lulzim Basha. Në mesin e këtyre akteve hetimore, sipas mbrojtjes, që është përpiluar pas kësaj date është edhe kërkesa për gjykim, që duhet të shpallet e pavlefshme pasi nuk janë njohur të pandehurit e këtij procesi. "Pa një kërkesë për gjykim, nuk mund të kemi edhe një proces gjyqësor. Kështu që, kërkojmë nga gjykata të pushoi gjykimin e çështjes, pasi nuk është kjo Gjykatë kompetente për të gjykuar një çështje pa të pandehur",-thanë mbrojtësit. Edhe vetë i pandehuri Andi Toma si ish-drejtori juridik i Ministrisë së Transporteve dhe avokati i tij mbrojtës, Gjokutaj kërkuan që të pushohet gjykimi i kësaj çështje dhe dosja ndaj të pandehurit Toma të kaloi për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë.
Avokatët
"Prokuroria e Përgjithshme më datë 13 shtator 2007 e ka regjistruar procedimin penale me nr.1. Me datë 27 shtator 2009 Prokuroria e ka regjistruar me emër deputetin Lulzim Basha në këtë procedim penale duke vazhduar me kërkesën për heqjen e imunitetit të tij nga Kuvendi. Më 28 dhjetor po të vitit 2007, deputetet e Kuvendit me 107 vota pro i hoqën imunitetit deputetit dhe Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. Që nga fillimi i hetimeve e deri më 6 nëntor 2008 Prokuroria e Përgjithshme ia ka zgjatur afatet hetimore të pandehurit Lulzim Basha 6 herë. Më 6 nëntor 2008, edhe pse kemi kërkuar që hetimet e dosjes të përfundojnë, organi i akuzës i ka zgjat afatet edhe për një muaj, deri më 6 dhjetor 2008. Kjo zgjatje është ankimuar në Gjykatën e Shkallës së Parë nga shtetasit Armand Teliti e Andi Toma, ku me vendim të ndërmjetëm gjykata ka vendosur shfuqizimin e vendimit të prokurorit për zgjatjen e afateve hetimore edhe për një muaj, vendim ky që ka marr formën e prerë edhe nga Gjykata e Apelit. Edhe pse gjykata ka shfuqizuar vendimin e zgjatjes së afateve hetimore, prokuroria ka vazhduar më tej, duke i dërguar ftesë Ministrit të Jashtëm që të paraqitet në prokurori, ku do të njihet me aktet dhe me akuzën përfundimtare ndaj tij. Kjo fletë-thirrje është kundërshtuar në Gjykatën e Shkallës së Parë e më pas ajo e Aplit, e cila pas shqyrtimit gjyqësore ka vendosur të pranoi kërkesën e mbrojtësit ligjor, duke e deklaruar këtë njoftim akuze të pavlefshme"-thuhet nga avokati mbrojtës i të pandehurit Basha. Të dy këto vendim, tashmë janë dorëzuar pranë Gjykatës së Lartë me anë të rekursit, ku kërkohet deklarimi si të pavlefshëm të tyre. Ndërsa, edhe për kundër këtyre dy vendimeve, prokurorët e çështjes kanë vazhduar me veprimet procedurale, duke vendosur mbylljen e hetimeve dhe dërgimin e të gjitha akteve bashkë me kërkesën për gjykim pranë Gjykatës së Lartë për shqyrtimin e saj, në një kohë që shtetasi Lulzim Basha nuk ishte njohur ende me akuzat dhe nuk kishte një status për këto akuza. Këto veprime u cilësuan të paligjshme nga avokatët e të pandehurve, duke kërkuar përfundimisht shpalljen e pavlefshme të të gjitha akteve hetimore të kryera pas datës 6 nëntor 2008 dhe pushimin e gjykimit të dosjes.
DEBATET
TIRANË- Në seancën e djeshme gjyqësore, të parashtrimit të kërkesave paraprake, ashtu siç pritej, avokatët e të pandehurve Lulzim Basha e Andi Toma i kanë shfrytëzuar vendimet Gjykatave të Shkallës se Parë dhe të Apelit, që i kanë cilësuar të paligjshme veprimet hetimore e procedurale të prokurorisë, pas skadimit të afatit zyrtar të hetimit, që ka qenë data 6 nëntor 2008. Sipas avokatit të të pandehurit Basha, klienti i tij nuk mund të konsiderohet i pandehur, pasi nuk ka dijeni për fletëthirrjen për tu njohur dhe nuk është njohur akoma me aktet hetimore, që janë mbyllur nga Prokuroria e Përgjithshme, edhe pse ishin të sanksionuar nga Gjykata e Apelit për mos vazhdimin e kryerjes së akteve hetimore e procedurale. Por, dy prokurorët e çështjes Artur Selmani dhe Arben Kraja, gjatë fjalës së tyre renditen të gjithë rrugën e tyre të ndjekur për të njoftuar Ministrin e Jashtëm Lulzim Basha me akuzat dhe aktet hetimore, edhe pse ajo asnjëherë nuk është ankuar për afatet e hetimit, të cilat janë individuale, çka lë në fuqi veprimet hetimore të prokurorisë ndaj tij. Në këtë debate, nuk kanë munguar të përfshihen edhe gjyqtarët e çështjes, por ai që "ngacmoi" më shumë prokurorët, ishte kryetari i trupës gjykuese, gjyqtari Spiro Spiro, i cili shprehu çudinë për datën e njoftimit të akuzës dhe mbylljes së hetimeve nga prokuroria. "Si ka mundësi, që prokuroria për një ditë, konkretisht më 5 dhjetor 2008 të kryej tre veprime procedurale, të mbyll fazën hetimore, t'i njoftoi palët për akuzat dhe t'ia dërgoi atyre për njohje dhe doërzimin e kësaj dosje me 7 fashikuj për në Gjykatën e Lartë"-tha gjyqtari Spiro, duke këmbëngulur që nuk i është lënë kohë shtetasit Lulzim Basha të njihet me dosje, siç e parashikon neni 327 pika 2 e Kodit të Procedurës Penale. Prokurorët, argumentuan se "i pandehuri Lulzim Basha nuk pranonte të paraqitej në prokurori, çka jemi detyruar t'ia dërgojmë të gjithë fashikullin e hetimit prej 8 volumesh me post pranë Ministrisë së Jashtme, ku dy punonjësit e kësaj ministre në orët e vona të darkës, aty rreth orës 19 i kanë sjell të gjitha materialet hetimore duke i hedhur ato pranë dyerve të Prokurorisë së Përgjithshme",-tha prokurori Selmani. Për këtë veprim të punonjësve të ministrisë së tij, i pandehuri Lulzim Basha në të dal të derës së Gjykatës së Lartë u shpreh se "unë nuk merrem me fabulat e Prokurorisë, por, pres vendimin e Gjykatës".
VENDIMI
TIRANË- Pas tre orë debate gjyqësore, të parashtrimit të kërkesave paraprake të mbrojtësve ligjor, të vetë të pandehurve, kundërshtimet e dy përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe ndërhyrjet e herë pas hershme të anëtarëve të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, këta të fundit vendosen të shtyjnë seancën gjyqësore për me datën 16 mars. Ditë kur pesëshja gjykuese do të shprehet me vendim në lidhje me kërkesat paraprake të palëve në proces, ku do të vendoset të pranohet kërkesa e avokatëve për pavlefshmëri të veprimeve të prokurorisë duke e pushuar kështu hetimin dhe krejt çështjen e shumë debatuar të abuzimeve me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës ose vazhdimin procesit gjyqësor. Ndërkohë, prokurorët e lanë të hapur mundësinë e ripërsëritjes së procedurave hetimore dhe procedurale të informimit me akuzat për të pandehurve para gjykatës, veprim ky që sipas tyre është i lejueshëm sipas Kodit të Procedurës Penale.
AKUZAT
TIRANË- Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, Lulzim Basha në kohën kur mbante postin e Ministrit të Transporteve, në bashkëpunim me ish-drejtorin juridik të këtij dikasteri Andi Toma, ka abuzuar me fondet për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. Hetimet për abuzimet me fondet nisën në fillim të vitit 2007 nga Prokuroria e Tiranës më pas dosja kaloi në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi u gjetën elementë të implikimit të Lulzim Bashës në këtë skandal të ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Vetëm nëntë muaj pas heqjes së imunitetit të Bashës nga Parlamenti, dosja ndaj tij u dorëzua për gjykim në Gjykatën e Lartë, ku në bankën e të pandehurve përkrah Ministrit të Jashtëm Basha është edhe ish-vartësi i tij, Andi Toma. Ndaj të dy të pandehurve, prokuroria ka ngritur akuzat e "shpërdorimit të detyrës" dhe "shkeljes së pabarazisë në tenderë epo ankande publike" në bashkëpunim.
GJYQI
"Dorëzohet" prokuroria, të hënën aktet-hetimore për familjarët e viktimave në Gërdec
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme, pas "rezistencës" 87 ditore duke mos pranuar t'i jap familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit aktet hetimore të këtij hetimi një vjeçar për përgjegjësit e shpërthimit të 700 tonëve barut që solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve të plagosur, vendosi dje të dorëzohet. Ky dorëzim, erdhi pas kërkesës së drejtuar nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, e cila me kërkesë të 11 familjarëve të viktimave i kërkoi institucionit të akuzës t'i vë në dispozicion aktet-hetimore të kësaj tragjedie, që do të përdoret nga 11 familjaret e viktimave për përpilimin e kërkesë padisë për dëmshpërblimin e tyre. Ka qenë përfaqësuesi i akuzës, që në seancën e djeshme gjyqësore, ka pranuar t'i vë në dispozicion ditën e hënë avokatëve të 11 familjarëve të viktimave të Gërdecit, aktet hetimore të nevojshme për to, në përgatitjen e padisë civile për dëmshpërblimin e tyre. Me kërkesë të gjykatës, avokatët e familjeve të viktimave të 15 marsit 2008 kanë renditur një sërë shkresash që organi i akuzës duhet t'i vërë në dispozicion të tyre për të formuluar paditë civile në Gjykatë. Pas njohjes me kërkesat e tyre konkrete, përfaqësuesi i akuzës, i ka kërkuar avokatëve të 11 familjarëve të viktimave të Gërdecit të paraqiten mëngjesin e ditës së hënë në Prokurorin e Përgjithshme ku do të marrin kopjet e nevojshme të këtyre akteve hetimore. Një javë më parë, në seancën e tret gjyqësore të shqyrtimit të kërkesë padisë së 11 familjarëve të viktimave që kërkonin nga organi i akuzës me njohjen me aktet hetimore të kësaj tragjedie, lëshuan një lum "akuzash" ndaj institucionit të prokurorisë. "Familjarët e viktimave shprehen të vendosur që nëse Prokuroria e Përgjithshme nuk paraqitet dhe në seancën e radhës, ata do të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre ndaj këtij institucioni. Shkelja e të drejtave procedurale të familjeve të viktimave të Gërdecit vë në dyshim paanshmërinë dhe ligjshmërinë e hetimit që po kryen Prokuroria e Përgjithshme",-patën thënë për "Shekullin" përfaqësuesit ligjorë të këtyre 11 familjeve të viktimave një javë më parë. Sipas kërkesë- padisë të bërë nga juristët e lëvizjes "Mjaft" që përfaqësojnë të 11 familjarët e viktimave me prokurë të posaçme, arsye e këtij procesi gjyqësor, është marrja e akteve të dosjes hetimore të tragjedisë së Gërdecit dhe vënia në dispozicion të tyre për të përgatitur kërkesë-padinë ku do të përcaktohet dëmshpërblimi për familjarët e viktimave.