Ngrohja, çmimi i drurit rritet me 30 për qind këtë sezon
Çmimi i një metër/kub dru varion nga 2500-3000 lekë. Fshatrat rreth pyjeve kërkojnë lehtësime në çmim
LIBRAZHD- Përveç motit të ashpër të këtij viti, banorët e rrethit të Librazhdit po përballen me një rritje të ndjeshme të çmimit të drurëve që përdorin për ngrohje. Këtë vit çmimi i druve të zjarrit është rritur 20-30 për qind, duke e krahasuar me vitin e kaluar dhe vetëm në ditët e para të ftohjes së motit çmimi i druve të zjarrit ka arritur 24-30 mijë lekë të vjetra për metër/kub. Në qytetet e Librazhdit dhe Përrenjasit, çmimi i një metër/kubi dru të paprerë shitet për 2500 lekë.“300 lekë kushton transporti dhe 500 lekë prerja me motor e tyre, duke e çuar në total çmimin e një metër kubi mbi 3 mijë lekë. Unë jam pensionist dhe e kam shumë të vështirë të përballoj këto çmime”,- thotë për “Shekulli”-n, Isuf Guga. Më të prekura janë zonat rurale, dhe ata që ankohen më shumë janë banorët që jetojnë në këto zona, pasi sipas tyre, autoritetet i ndalojnë të presin dru për ngrohje. Organet e shërbimit pyjor janë tepër të rrepta dhe nuk lejojnë që këta banorë të presin dru zjarri pa leje, ku, jo pak banorë janë gjobitur. Banorët e këtyrezonave ankohen se autoritetet nuk i lejojnë të presim dru zjarri dhe se ata detyrohen t’i blejmë tek firmat, të cilat i shesin me çmim shumë të shtrenjtë, krahasuar me çmimin e shitjes në qytet. “Si mundet që ne që jetojmë në pyll të blejmë dru me çmimin e qytetit”,- thonë banorët e zonës së Steblevës, Stravanit, Polisit, Qarrishtës etj. “Organet e shërbimit pyjor nuk na lejojnë të presim dru zjarri për ngrohje, sepse është në kundërshtim me ligjin dhe ne duhet t’i blejmë, megjithëse ka një plan ku ne duhet të furnizohemi me dru zjarri, por sasia e vënë për ne nuk mjafton për ngrohje”, - thotë Naim Kryemadhi. Organet e shërbimit pyjor bëjnë me dije se kanë zënë në flagrancë shumë individë dhe kanë vendosur gjoba të shumta. “Kemi sekuestruar 60 metër kub dru zjarri dhe kanë kaluar në procedim penal disa persona dhe subjekte, deri tani janëvendosur gati 10,746 milionë lekë gjoba, ku nga këta kanë kaluar në ndjekje penale 19 persona”,- thotë shefi i Policisë Pyjore, Viktor Allko. Sipas tij, Drejtoria e Shërbimit Pyjor ka të drejtë që të kontrollojë administrimin, shfrytëzimin dhe rregullin e prerjes së tyre, kurse çmimin e kontrollojnë organet e tjera. Por, për zonat që janë afër pyjeve, banorët operojnë me kryepleqtë, ku presin një mandat dhe u caktohet zona se ku duhet të presin dru zjarri, ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjin.