Si u shkrua libri Ditët e jetës sime
Para disa vjetësh Xhanfisesë i patën kërkuar një autobiografi të shkurtër që ma dha për ta lexuar, ishin nja dhjetë faqe shkruar me shkrim dore. Qëlloi që verën e vitit 2006 të kalonim disa ditë të dyja në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës. Kur vajtëm atje vendosëm se nuk do të dëgjonim lajme, ndonëse kishim televizor në dhomë, nuk do të lexonim as libra, as gazeta. Teksa shëtitnim buzë detit apo para se të flinim, Xhanua më rrëfente për fëmijët me të cilët kishte punuar në filmat e saj, për prindërit e tyre, qytetet e ndryshme ku kishte xhiruar etj. (Aty në Durrës i bëmë vizitë edhe Donikës, nënës së Selma Sotirllarit, që të gjithë e njihnin si “Tullumbacja” nga filmi “Beni ecën vetë”). Midis të tjerash më tregoi se kishte në arkiv edhe një dokumentar për policinë dhe ne qeshëm shumë me këtë fakt duke shtuar se e paskemi pasur me hak të pushojmë tek kjo Shtëpi Pushimi e policëve.
Duke dëgjuar sesa mrekullueshëm rrëfente Xhanua, i thashë se duhej të ulej e të shkruante kujtimet e veta. Në mendjen time kisha dy arsye kryesore për të cilat këmbëngulja që ta vija në punë: e para për t’ia larguar sadopak mendjen nga humbja e tmerrshme e Dorit dhe e dyta po të mos hidheshin në letër këto kujtime prej Xhanos do të mbetej pa u ndriçuar një pjesë e mirë e jetës dhe punës së atyre njerëzve të përkushtuar të Kinostudios “Shqipëria e Re”.
Kur ia filloi punës së të shkruarit Xhanua ankohej se shkrimin e ka të keq, por i thashë se kam kaluar nëpër duar mijëra shkrime nxënësish dhe mund të lexoj çdo lloj shkrimi, prandaj të mos merakosej. U ndieva e lehtësuar kur u ul dhe filloi të shkruajë në fillim në një bllok të madh e më tej nëpër fletë të mëdha formati. Shkruante dhe u hiqte kryq paragrafeve të tërë. Fillova t’i bëj vërejtje se fjalia duhej ndërtuar ndryshe e se përdorte brenda saj shumë “që-ra”. Ajo më përgjigjej qetë e qetë: “E po nuk jam shkrimtare!” Në fillim ia dhamë dikujt për t’i hedhur në kompjuter, po kur i lexoi ato 15 faqe Xhano gjeti shumë gabime. “Vazhdo e shkruaj - i thashë- se do ta gjej kohën për t’i hedhur në kompjuter.”
Nganjëherë më telefononte: “Sot kam punuar tetë orë…” Edhe stili i ndryshoi sepse Xhano gjithçka donte ta bënte të përkryer. Hera herës merrja laptopin dhe shkoja në shtëpinë e saj ku vijonim korrigjimet. Kur ndërpritej korenti shkruaja me gishtat e njërës dorë, kurse me dorën tjetër mbaja elektrikun me bateri për të parë gërmat. Xhanos nuk i besohej se gabimet ndreqeshin aq shpejt tek ai ekrani kompjuterik, prandaj ia printoja e Xhanua lexonte, korrigjonte, përsoste, vendoste emra sepse ajo donte që në këtë libër të shkruhej për punën e tjerëve, jo thjesht për të. Kur thuajse u mbaruan rrëfimet i hodha në disk dhe një kopje e mbajti Iliri për të saktësuar datat dhe për të vendosur fotot. Atëhere Xhanua më tha: “Tani jam fare e qetë se ju të dy i kini kujtimet e mia dhe mund ta botoni librin…” “Jo, i thashë “përurimin e librit do ta bëjmë bashkë me të gjithë njerëzit e dashur dhe do të flasësh.” Ajo veç buzëqeshi. Një nga nxitësit e parë ishte botuesi Adrian Laperi, i cili i pat thënë regjisores: “Shkruaje librin se unë do të ta botoj.”
Gjithçka u krye sipas dëshirës së Xhanos, ndonëse sot ajo na mungon.