E Diel, 1 Nëntor 2026

Saramago: Populli voton një herë në katër vjet, qeveria bën çtë dojë

Një vit në spital për shkak të një sëmundjeje të rëndë dhe nobelisti portugez José Saramago i rikthehet letërsisë. Është kohë vërtet e gjatë si pacient për 86-vjeçarin që nuk e paska humbur dëshirën për të shkruar.

Autori i më shumë se 15 romaneve dhe shumë tregimeve, poezive dhe pjesëve teatrore është i njohur për bindjet komuniste dhe miqësinë me udhëheqësin kubanez Fidel Kastro.

Më 1998 Saramago merr çmimin “Nobel” për letërsinë për “parabolat e tij të pasura me imagjinatë, ironi dhe botë njerëzore” si dhe për “skepticizmin e tij modern” kundrejt të vërtetës zyrtare.

Jo më larg se viti i shkuar, shkrimtari ngjalli polemika në Portugali duke deklaruar se vendi rrezikonte në mënyrë të pashmangshme të shndërrohej në një provincë të “Iberisë së Bashkuar”.

Shkrimtari portugez edhe sot është pjesëtar i partisë komuniste ndonëse nuk e justifikon atë që kanë bërë regjimet komuniste, pasi për të edhe kisha ka bërë shumë gjëra të tmerrshme.

Edhe demokracia i duket e dyshimtë. Për Saramagon pjesëmarrja e njerëzve në jetën politike nuk është e mjaftueshme. Populli thirret të votojë një herë në katër vjet e ndërkohë qeveria bën çfarë të dojë, dhe kjo nuk ndodh vetëm në Portugali. Megjithatë fitorja e Barack Obama-se mbush me shpresë, sepse e konsideron demokraci të pastër faktin që miliona njerëz u mobilizuan për të zgjedhur një kandidat, dhe aq më tepër me ngjyrë, është një lloj revolucioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›