E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngufatja e vlerave

08-02-2013 / Nga Burim Ramadani

Vjollca Llugiqi është balerinë. Blerim Gjoci është producent. E para në secilën shfaqje paraqitet në formën më të lartë. Sigurisht të krahasueshme për nga niveli profesional, emocional dhe fizik me nivelet më të larta të baletit nëpër botë. I dyti është producenti më i suksesshëm shqiptar i të gjitha kohërave. Si me numër çmimesh nga festivalet më të njohura të botës, si me pjesëmarrje, si me numër të produkteve të nxjerra. Pra, si me kualitet, ashtu edhe me kuantitet. Duke qenë personazhe dhe karaktere të dallueshme, që të dy përfaqësojnë në mënyrën më të mirë dy fusha krejt të ndryshme arti: baletin dhe filmin. Por, jo vetëm kaq. Jo vetëm art. Jo vetëm kulturë. Të dy përfaqësojnë shpirtin e vërtetë të kombit, shoqërisë dhe shtetit tonë. Ata realisht janë ndër personat që me veprën e tyre publike gërshetojnë dy elementet kryesore: traditën tonë kombëtare dhe synimin që ne të jemi të barabartë me kombet perëndimore. Kombinimi i të dy këtyre elementeve është më së vështiri i realizueshëm. Bashkimi i tradicionales apo të djeshmes me të ardhmen Perëndimore apo të nesërmen është puna jonë e sotme. Puna që duhet të lëmë secili në këtë jetë. Ajo çka do të na vendoste në kujtesën historike të kombit tonë. Të shtetit tonë përjetë.
Dhe, shoqëria jonë kosovare duket se ka harruar këto dy personazhe krejt të veçanta, sikurse edhe një ushtri të tërë njerëzish me vlera, femra e meshkuj, të suksesshëm dhe përfaqësues të të sotmes sonë. Këta bashkë me shumë të tjerë sigurisht ndjehen të lënë anash, të ngushtuar dhe të pahapërisë nga shoqëria kosovare. Për më keq, kjo shoqëri realisht po ngufat vlerat. Po ngufat shpirtin. Një shoqëri që me pak përjashtime ka humbur ndjenjën e të pasurit shenjëtorë. Ku gjithçka është sot për sot. Ku e tëra lidhet me ndonjë interes personal apo klanor. Ku e gjitha paraqet mundësi për të vjelë nga e mira publike. Jo për t’i dhënë të mirës publike diçka. Jo për të shtuar vlerat tona. Por, për të vjedhë, sharë e përgojuar. Për të hedhur anash gjithçka që na hap sytë. Gjithçka që na bën të mendojmë për të nesërmen.
Në situatën e tashme, ne jemi një shoqëri që tentojmë të zhvleftësojmë Vjollcën e Blerimin. T’i hedhim diku në errësirë. T’i hijezojmë. T’i margjinalizojmë, sepse po na “prishin” rendin tonë të sotshëm. Paraqesin diçka që nuk është urgjente! Kemi kohë edhe për balet, edhe për film! Ndoshta në diskursin tonë publik dikush edhe mund të thotë se këto mund t’i zhvillojmë më vonë. Se paskemi punë të tjera më të mëdha, më të rëndësishme, më emergjente. Se njëherë paskemi qëllim të na njohë Serbia, Rusia e Kina e më pas bëjmë balet e të bëjmë film. Kjo do të mund të ishte realiteti se çka ne si shoqëri po bëjmë për këta të dy e për shumë të tjerë. E tmerrshme dhe trishtuese!
Apo, thënë më ndryshe, sa njerëz në Kosovën tonë e dinë që Baleti i Kosovës ekziston sot e dyzet (40) vjet? Apo që balerina Vjollca Llugiqi ka shkëlqyer në një numër të madh paraqitjesh nëpër vende të ndryshme të botës? Apo që të qenit balerinë është një jetë tjetër e vlefshme nga përditshmëria jonë e zymtë? Apo që Vjollca është krejt e barabartë me këdo që merret me balet nëpër katër anët e globit?
Për më tepër, sa njerëz e kanë qartësuar në mendjen e tyre se producenti Blerim Gjoci ka fituar çmimin më të madh për film të shkurtër që e ka arritur ndonjëherë ndonjë producent shqiptar? Çmimi i parë në Festivalin e Filmit në “Sundance” është më shumë se sa Klubi Futbollistik “Prishtina” të fitonte Ligën e Kampionëve. Apo, sikur Universiteti i Prishtinës të renditej i pari në listën e universiteteve më të mira në botë. Duke lënë anash, në rastin e futbollit, Barcelonën, Barenin e Arsenalin apo, në rastin e Universitetit, Harvardin, Oxfordin e Cambrige-in. A është kjo e arritur e madhe? Është më e madhja ndonjëherë. E paimagjinueshme për fushat tjera të jetës. Epo, Blerimi e arriti këtë.
Dhe, cili është reagimi ynë shoqëror? Përgojimi. Thashethemet. Anashkalimi. Ngufatja. Në vend të krenohemi për këto arritje si në balet ashtu edhe në produksion, shoqëria kosovare duket se ka zgjedhur sy-mbylljen. Në vend se t’i japim vendin dhe respektin e merituar si baletit ashtu edhe produksionit, shoqëria jonë duket se ka zgjedhur prioritete tjera. Prioritete të dhimbshme, të padobishme, të fëlliqura.
Debati i sotshëm publik është i ngujuar në etiketime, manipulime, fushata votash e keqpërdorimesh. Etiketime mes patriotësh e tradhëtarësh. Manipulime trushpëlarëse ideologjike nga më të ndryshmet. Fushata për mbledhje votash, duke bërë që gënjeshtra të kthehet në mjetin kryesor të punës. Keqpërdorimesh të fondeve publike me qëllim të pasurimit personal, familjar e klanor. Që të gjitha në kundërshtim me të vërtetën e thellë të kombit tonë: të qenit evropianë tolerantë.
Është e pafalshme për një shoqëri ngufatja e vlerave. Është e patolerueshme falsifikimi i të vërtetës së sotme. Është e çoroditur mendësia se kemi “punë më urgjente” se sa shtimi i vlerës sonë. Vjollca është e kundërta e asaj që shoqëria kosovare e përjeton si përditshmëri. Blerimi është modeli i arritshmërisë. Nëse shoqëria jonë vazhdon t’i ngufasë, po ngufat vetveten. Po mbyt të ardhmen. Po shuan shpirtin e vet!

Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›